AGK dënon ashpër gjuhën linçuese të Hysamedin Ferrajt ndaj gazetarëve Berat Buzhala e Parim Olluri

AGK dënon ashpër gjuhën linçuese të Hysamedin Ferrajt ndaj gazetarëve Berat Buzhala e Parim Olluri

PRISHTINË, 08.04.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dënon ashpër linçimet e bëra nga Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Hysamedin Ferraj ndaj gazetarit, Parim Olluri nga Gazeta Online “Insajderi” dhe Berat Buzhala nga “Televizioni 7”.

Përmes dy postimeve në Facebook të Ferrajt, gazetarët në fjalë dhe mediet që përfaqësojnë ata janë cilësuar si pjesë e një “lobimi të mendimit serbo-rus në Kosovë” që për qëllim kanë “copëtimin e Kosovës”.

“Kthimin e pjesshëm ose të plotë të Kosovës nën Serbinë lobi serbo-rus në SHBA, me përfaqësuesin e vet më të pushtetshëm Richard Grenell, duhet ta bëj pa armë. Këtë mund ta realizoj vetëm me lobistët serbo-rus brenda Kosovës, ndër me të zëshmit deri tani: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Berat Buzhla, Parim Olluri, dhe gjithë media që lobon pro tyre”, ka shkruar Ferraj.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, cilësimet e tilla ndaj përfaqësuesve të medieve, janë tërësisht të papranueshme. Ato e polarizojnë shoqërinë, cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë demokracinë në vend.

AGK, i bënë thirrje Ferrajt që t’i ndalë akuzat e tilla, si dhe partisë së cilës i takon, Lëvizjes Vetëvendosje, që të distancohet nga kjo qasje e papranueshme ndaj gazetarëve.