PRISHTINË, 21.04.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shpreh shqetësim lidhur me gjetjet e organizatës “Reporterët pa Kufij”, për gjendjen e lirisë së medieve në Kosovë, në raportin e publikuar për vitin 2020.
Kosova është renditur në vendin e 70-të në botë sa i përket lirisë së shtypit por me gjithë përparimin për pesë pozita, krahasuar me vitin 2019, AGK konsideron se raporti pasqyron gjendjen reale, jo të kënaqshme të lirisë së medieve në Kosovë.
Raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Ne raport theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave.
Sipas indeksit të “Reporterët pa kufij”, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiar, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike dhe kjo shpesh rezulton në vetë-censurim. Sa i përket mediave të komuniteteve pakicë, sipas raportit, shumica prej tyre janë në prag të shuarjes, duke mbijetuar kryesisht nga donacionet e huaja. Raporti përfundon me atë se deri më tani, fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur, përfshirë gazetarët që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999.
AGK vlerëson se, gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.
Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror për vitin 2020, i cili vlerëson situatën për gazetarët në 180 vende, në nivel botëror paralajmëron se dekada e ardhshme do të jetë përcaktuese për të ardhmen e gazetarisë, për shkak të pandemisë Covid-19 e cila do të prodhojë shumë kriza që kërcënojnë të drejtën e raportimit të lirë, informacionin e pavarur, të larmishëm dhe të besueshëm.
Sipas Indeksit, nga vendet e rajonit, BiH renditet në vendin e 59-të, Shqipëria e 84-ta, Maqedonia Veriore e 92-ta, Serbia e 93-ta, dhe Mali i Zi në ventin e 105-të.