Publikohet raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”

Publikohet raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”

PRISHTINË, 01.07.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, sot publikoi raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve 2020”.

Raporti është hartuar nga hulumtuesja Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe fokusohet në tre tregues; kornizën ligjore, pozitën e gazetarëve në dhomën e lajmeve, si dhe sigurinë e gazetarëve.

Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Gentiana Begolli Pustina, ka thënë se klima e të bërit gazetari në Kosovë është shumë më e rëndë se që pasqyrohet në statistika.

“Klima e të bërit gazetari po rëndohet nga viti në vit. Nga viti në vit rastet e sulmeve në drejtim të gazetarëve po shënojnë rritje. Është shqetësues fakti që gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët edhe për hulumtime tē ndryshme hezitojnë të flasin për cenzurën, vetëcenzurën dhe shkeljen e të drejtave të tyre nga mediumi ku punojnë. Kjo na lë të kuptojmë se klima e të bërit gazetari është shumë më e rëndë sesa statistikat që ne disponojmë”.

Ndërsa, hulumtuesja e raportit, Getoarbë Mulliqi Bojaj, shpalosi para të pranishmëve të gjeturat e raportit.

“Marrë parasysh rrethanat përgjatë vitit 2020, në veçanti pas marsit është vërejtur dukshëm tendenca për sulme dhe kërcënime në drejtim të gazetarëve. Më 2018 kemi pasë 17 raste të sulmeve, më 2019 janë raportuar 21 raste, ndërsa gjatë vitit 2020 janë regjistruar 24 raste. Fatkeqësisht, kërcënimet verbale dhe linçimeve nga zyrtarë publikë e politikanë kanë shënuar rritje përgjatë vitit 2020. Teksa, legjislacioni i medieve në Kosovë është shumë i pasur, krahasuar me vendet me demokraci të avancuar, por problemi sipas njohësve ligjorë, si dhe vetë gazetarëve është implementimi i tij.”

Pjesë e panelit të diskutimit ishin edhe Imer Mushkolaj – Drejtor ekzekutiv në KMShK, Yll Zekaj – Ekspert ligjor, dhe Dren Gërguri – Ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – KMShK, Imer Mushkolaj, e cilësoi si tejet shqetësuese vetëcenzurën e gazetarëve.

“Dy çështje që për mua janë specifike, e që e tregojnë mënyrën se si funksionojnë gazetarët, është ajo çka e nxjerr raporti sa i përketë vetëcenzurës së gazetarëve për shkak se në bazë të fokus grupeve dhe bisedave që janë zhvilluar me gazetarë del se gazetarët jo që kanë presione të drejtpërdrejta nga menaxherët brenda medieve ku ata punojnë, por kanë një lloj vetëcenzure të kuptueshme. Pra gazetarët e dinë se cilat tema nuk duhet t’i prekin, e dinë cilat subjekte qoftë biznesore, qoftë politike nuk duhet t’i prekin për shkak se në këtë mënyrë cenohet interesi i pronarit/mediumit. Ky është një problem jashtëzakonisht i madh për shkak se këtu flasim për një presion jo të drejtpërdrejt por të them më ‘elegant’, në mënyrë që gazetarëve tu bëhet e qartë se çfarë nuk duhet të shkruajnë”.

Eksperti ligjor, Yll Zekaj, theksoi se gjetjet e raportit duhet të jenë udhërrëfyes për institucionet e vendit dhe të gjithë akterët e përmendur në raport.

“Gjetjet e këtij raporti duhen me qenë udhërrëfyes për ata që e gjejnë vetën brenda këtij raporti dhe për institucionet e Kosovës, e sidomos për udhëheqësit e mediave në bazë të gjetjeve që kanë dalë nga ky raport. Kur një konstatim i tillë për bazën ligjore bëhet nga vetë gazetarët, unë nuk kam se çka të them tjetër përveçëse ta konfirmoj atë se kemi një bazë ligjore të mirë në letër që ofron mbrojtje qoftë për gazetarët, qoftë për kritikat në drejtim të gazetarëve, por që është krejtësisht ndryshe në praktikë, kemi probleme të zbatueshmërisë në praktikë”.

Teksa, Dren Gërguri – Ligjërues në Universitetin e Prishtinës e vlerësoi punën e AGK-së në evidentimin e saktë të klimës së të bërit gazetari në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka puna e gazetarit, nëse shoqëria edhe më herët ka pasë luhatje rreth rëndësisë së profesionit të gazetarëve për një shoqëri. Besoj se pandemia na ka treguar se sa e rëndësishme është gazetaria dhe sa i rëndësishëm është informacioni i saktë dhe i drejtë sepse në pandemi kur të gjithë kërkonin të kishin informacione të sakta, të gjithë i kthyem sytë nga gazetarët. Ata na informonin dhe ne i kthyem sytë nga njerëzit që kanë një pagë e cila nuk iu mjafton për të bërë jetë në këtë vend”.

Raportin e plotë mund ta shfletoni në këtë link.