Bordi i AGK-së e ka pranuar me shqetësim lajmin për kërcënimin dhe pengimin në detyrë të gazetares, Diellza Luzha dhe kameramanit, Blendi Shaqiri, kolegë të portalit KALLXO.com. Ekipi medial po realizonte një kronikë në oborrin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
Ekipi i KALLXO është penguar nga tre persona të paidentifikuar, pjesë e stafit të spitalit, të cilët kanë penguar xhirimin dhe i kanë bërë presion fizik kameramanit, duke ia kufizuar ekipit lëvizjen dhe duke kërcënuar me konfiskim të paisjeve.
Një veprim i tillë për AGK-në përbën presion të papranueshëm dhe rrezikon sigurinë e gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës.
AGK-ja i bën thirrje menaxhmentit të Spitalit Rajonal të Mitrovicës që të marrë masa ndaj këtyre personave dhe të mos lejojë përsëritjen e një situate të tillë. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që t’i identifikojë autorët dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të trajtuar rastin.