Gjatë kësaj periudhe, ne kemi qenë dëshmitarë të fyerjeve të shumta e të rënda, të sulmeve verbale dhe tentativave për diskreditim publik që kanë kontribuar në rrezikimin e sigurisë së gazetarëve. Në disa incidente të ndara, gazetarët Xhumadije Ibraimi nga TV Klan, Salije Sadiku nga TV 21 dhe Ferikan Arifi nga Euronews Albania janë penguar në punën e tyre gjatë raportimit për procesin zgjedhor nga anëtarët e komisioneve zgjedhore, anëtarë të partive politike dhe policë.
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AGM) i dënoi ashpër këto pengesa dhe kërkoi nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe MPB që menjëherë t’i zgjidhin të gjitha incidentet e raportuara gjatë javës së kaluar.
Kryetari i AGM-së, Mlladen Çadikovski, në konferencën e sotme për media tha: “Po hyjmë në fazën finale dhe më të ashpër të fushatës zgjedhore – po paralajmërojmë me zë të lartë se e gjithë kjo duhet të ndalet menjëherë. Ministria e Punëve të Brendshme, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe prokuroria duhet të reagojnë menjëherë për të treguar se sulmet ndaj mendimit të lirë janë të papranueshme. Të gjitha këto zhvillime lënë gjurmë në skenën mediatike dhe në atmosferën demokratike në të gjithë vendin. Për këtë arsye kërkojmë reagim të menjëhershëm nga autoritetet, jo nesër, por tani.”
Rrjeti i SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8.200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet përpjekjeve të anëtarit të vetë AGM-së, në ngritjen e vetëdijes për problemin e cenimit të të drejtave të gazetarëve veçanërisht në periudha zgjedhjesh, sepse e drejta e informimit është thelbësore dhe i bashkohet thirrjeve që institucionet kompetente të zbardhin incidentet dhe të ndëshkojnë autorët. Vetëm me reagim të menjëhershëm të institucioneve do të shmangen incidentet më të mëdha në të cilat mund të kërcënohet integriteti fizik i gazetarëve.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këto raste.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 22 tetor 2021
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi