Liria e medias po tkurret, si mund të mbrohen gazetarët nga sulmet dhe kërcënimet?

0
46
Source/Author: Arbjona Cibuku https://citizens.al/2024/05/20/liria-e-medias-po-tkurret-si-mund-te-mbrohen-gazetaret-nga-sulmet-dhe-kercenimet/
Source/Photo: SJ

Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të ushtruar profesionin e gazetarit. Raportet nga organizata të besueshme ndërkombëtare flasin për një situatë të përkeqësuar të lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, që publikohet çdo vit nga Reporterët pa Kufij, Shqipëria humbi tre vende, me arsyetimin se në Shqipëri gazetarët janë viktima të intimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.

Raporti vendos theksin tek pronësia e medias si një ndër problemet kryesore të lirisë së medias dhe mungesës së sigurisë për gazetarët.

Transparenca e institucione është një tjetër pikë që shihet me shqetësim në raport, ku theksohet se gazetarët hasin vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet.

Ndërhyrjet e politikës, ekonomia, faktori social, kuadri legjislativ dhe siguria e gazetarëve janë 5 indikatorët që monitoron çdo vit Reporterët pa Kufij për mënyrën se si influencojnë në lirinë e medias. Shqipëria ka humbur 19 pikë në sigurinë e gazetarëve.

Raporti i Freedom House “Nation in Transit” Shqipëria mbetet një vend “pjesërisht i lirë” sa i takon vlerësimit të demokracisë, duke marrë vetëm 46 pikë nga 100 në total. Raporti thekson se pronësia e medias vijon të mbetet e përqendruar midis disa pronarëve kryesorë, sikurse “Top Media” “Klan”  G2 Media” dhe nënvizon se kjo gjë ndikon në autocensurë të gazetarëve. Gjithashtu raporti i Freedom House vë në dukje një sërë rastesh kur gazetarët janë sulmuar apo kërcënuar.

Edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit e sheh me shqetësim situatën në të cilën ndodhet media në Shqipëri.

Sipas raportit, përfaqësues të lartë të medias përdorin mediat e tyre për të shantazhuar bizneset.

Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve, thotë raporti, kufizuan pavarësinë e medias së shkruar rritën autocensurën.

Të dhënat nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) tregojnë se gazetarët dhe punonjësit e medias vijojnë të kërcënohen dhe shantazhohen. Në vitin 2023 u raportuan 29 raste, më i larti që nga 2014.

Referuar rasteve nga Rrjeti për Gazetarë të Sigurt, prej vitit 2014 në vend janë regjistruar 172 raste të kërcënimit, sulmeve dhe dhunës ndaj gazetarëve.

Gazetarët sulmohen nga politikanët, subjektet që raportojnë që mund të jenë pjesë e krimit apo korrupsionit, nga pronarët e medias por ndonjëherë dhe nga vetë mediat, ata bëhen pjesë e fushatave denigruese online.

Nga janari i 2024, rrjeti ka regjistruar 6 raste:

Gazetarja Klodiana Lala u sulmua nga ish kryeministri Sali Berisha duke e cilësuar si shërbyese e kundërshtareve të tij politik.

Ola Xama u përball me disa sulme, për shkak të investigimit të saj, ajo u sulmua nga kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj, dhe më pas u përball me një fushatë denigruese online.

Xama ka depozituar një padi civile për portalin “Prapaskena” dhe një tjetër padi për “Gazetën Dita”. Të dy këto kanale mediatike pretendohet të kenë shpifur duke e quajtuar gazetaren të paguar, vrasëse me pagesë dhe epitete të tjera të pavërtetë.

Rasti tjetër i regjistruar nga rrjeti është ai i gazetarit Isa Myzyraj.  Një email i dyshimtë ka mbërritur në llogarinë e postës elektronike të redaksisë së televizionit Ora Neës dhe të drejtuesve të saj. Në përmbajtjen e këtij komunikimi, gazetari i Ora News, Isa Myzyraj, është sulmuar hapur dhe është bërë objekt i kërcënimeve me jetë.

Gazetarja Ambrozia Meta u sulmua nga kryeministri Edi Rama, pasi bëri një pyetje. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama ka këtë sjellje me gazetarët.

Sulmi tjetër i regjistruar nga rrjeti është ai i Citizens Channel, një sulm kibernetik që u shtri në disa nga kanalet e Citizens online, Facebook, web dhe Instagram.

Të dhënat e rrjetit tregojnë se ka 37 kërcënime kundër jetës dhe lëndimeve trupore të gazetarëve.

Janë 10 kërcënime të tjera ndaj gazetarëve, 7 janë sulmet aktuale ndaj gazetarëve, 4 janë kërcënimet kundër mediave apo organizatave dhe 7 janë sulmet ndaj mediave dhe organizatave.

Mekanizmat për mbrojtjen e gazetarëve

Në rast sulmesh gazetarët kanë disa mekanizma të cilat mund t’i përdorin për të raportuar apo referuar sulmet ndaj tyre. Mekanizmat janë për dokumentim, për dokumentin dhe referim, për ndihmë ligjore falas, ndihmë kibernetike, po ashtu ka ndihmë për strehim në rast sulmesh të renda.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists) është një platformë rajonale qëdokumenton rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, dhe mban qëndrime publike duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të zgjidhur këto raste.

Në vitin 2016, u mblodhën disa shoqata rajonale të gazetarëve nga Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia e Veriut dhe formuan këtë platformë rajonale.

Në Shqipëri kjo nismë erdhi më vonë, dhe prej viti 2020 tashmë rastet e sulmeve dokumentohen.

Gazetarët duhet të drejtohen në faqen e safejournalists.net dhe të plotësojnë një formular të thjeshtë ku të raportojnë rastin e tyre.

Mekanizmi tjetër që kanë në dorë gazetarët për të raportuar rastet është “Media Freedom Rapid Response” (MFRR).

(MFRR) gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe medias në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet kandidate.

Ky projekt ofron mbështetje ligjore falas dhe praktike, advokim publik dhe informacion për të mbrojtur gazetarët dhe punonjësit e medias.

MFRR përbëhet nga një aleancë e udhëhequr nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) duke përfshirë ARTICLE 19 Europe, Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Free Press Unlimited (FPU), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) dhe CCI/ Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa
(OBC Transeuropa).

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në Leipzig, Gjermani, në 2015. Ajo operon në bazë të Kartës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Kartës së të Drejtave
Themelore të Evropës Bashkimi.

“Ndihmë ligjore falas për gazetarët” 

Respublica, është një organizatë jo fitimprurëse në Tiranë, të cilës gazetarët mund t’u
drejtohen për ndihmë.

Qendra Res Publica ofron ndihmë ligjore për gazetarët dhe organizatat mediatike që përballen me sfida në lidhje me lirinë e shtypit.

Edhe në rast se gazetarët kanë një çështje ku po ju pengohet marrja e informacionit publik, mund t’i drejtohen kësaj qendre për ndihmë ligjore.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) është një organizatë jofitimprurëse e themeluar në Leipzig, Gjermani, në 2015. Ajo operon në bazë të Kartës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Kartës së të Drejtave Themelore të Evropës Bashkimi.

Misioni i ECPMF është të promovojë, ruajë dhe mbrojë lirinë e medias. Gazetarët mund t’i drejtohen po ashtu ECPMF për rastet e tyre të sulmeve.

Këshilli i Evropës ka gjithashtu një platformë për mbrojtjen e gazetarëve, dhe regjistron rastet e sulmeve.

“Platforma për promovimin e mbrojtjes së gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve” raporton për kërcënime serioze ndaj sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medias në Evropë, në mënyrë që të përforcojë reagimin e Këshillit të Evropës ndaj kërcënimeve dhe llogaridhënien e shteteve anëtare.

Që nga viti 2015, Platforma lehtëson përpilimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi shqetësimet serioze për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në vendet anëtare të Këshillit të Evropës, siç garantohet nga Artikulli 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

15 OJQ ndërkombëtare dhe shoqata gazetarësh janë partnerë të Platformës. Ata mund të postojnë sinjalizime, në varësi të proceseve dhe standardeve të tyre të verifikimit.

Kur dorëzon një sinjalizim në Platformë, Organizata Partnere siguron që informacioni është i vërtetuar, përbën një kërcënim serioz dhe ka ndodhur në një nga 46 shtetet anëtare.

Aktualisht Shqipëria nuk ka një shoqatë apo organizatë që merret me të drejtat e gazetarëve, përpos Rrjetit të Gazetarëve i cili shërben vetëm për dokumentimin e tyre.

Gazetarët në protestat e tyre të pavarura e kanë ngritur këtë shqetësim, duke u shprehur se nuk kanë besim te unionet e vjetra të gazetarëve dhe kanë ngritur retorikën për nevojën e një organizimi të ri mes gazetarësh.

Burimi

Liria e medias po tkurret, si mund të mbrohen gazetarët nga sulmet dhe kërcënimet?