Pandëshkueshmëria nxit sulmet ndaj gazetarëve

0
155

PRISHTINË, 30.11.2018 – Sulmet fizike dhe kërcënimet janë bërë të shpeshta ndaj gazetarëve të Kosovës. Institucionet e drejtësisë nuk i kanë sa duhet prioritet rastet e tilla, ndërsa edhe ato pak vendime që kanë marrë gjykatat ndaj kërcënuesve, kanë qenë vetëm gjoba nga 300-500 euro. Në këtë situatë, është domosdoshme të ketë rishikim të legjislacionit që i mbron gazetarët.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë janë rritur gjatë viteve të fundit. Kërcënuesit por edhe nxitësit janë kryesisht politikanë, biznesmenë dhe grupe të ndryshme të interesit. Këtij trendi në rritje po i kontribuon mosefikasiteti i duhur i sistemit të drejtësisë.

Ndër gazetarët e kërcënuar më së shumti në Kosovë është Serbeze Haxhiaj, e cila për rreth 20 vjet punon në këtë profesion. Ajo ka trajtuar tema  hulumtuese të fushave të ndryshme dhe si rrjedhojë është kërcënuar shumë herë me qëllim të frikësimit dhe të detyrimit që të heq dorë nga hulumtimet.

Gjatë karrierës së saj, gazetarja Haxhiaj thotë se nuk mban mend saktësisht numrin e kërcënimeve ndaj saj, ndërsa vetëm pesë rastet e fundit i ka paraqitur në polici. Ajo thotë se kërcënimet kanë pasur një dozë efekti në punën e saj dhe ia kanë shkaktuar ndjenjën e pasigurisë pasi që i është dashur  të përgatitej për rreziqe.

“Megjithatë nuk mendoj që kjo ka frenuar gatishmërinë time për të punuar në tema që kanë qenë mjaft të ndjeshme për ambientin e të bërit gazetari në Kosovë”, thotë Haxhiaj.

Ajo thotë se në raste të tilla, pasiguria e një gazetari ndikon edhe në familje. Haxhiaj tregon se i biri e ka përjetuar keq faktin që ajo është ndodhur në rrethana të pasigurisë dhe kërcënimit. Në një rast,  pjesë e masave të sigurisë ka qenë edhe djali i saj i cili është dashur të dërgohej në shkollë me përcjellje.

“E shoh që kjo ka pas një ndikim negativ tek ai, sepse shpesh e ka drojën se unë mund të mos jem e sigurt”, thotë Haxhiaj.

Ajo shton se nuk ka pasur përvojë të mirë me policinë rreth trajtimit të këtyre kërcënimeve. Gazetarja Haxhiaj thotë se në disa raste,  hetimet janë kryer në mënyrë profesionale, por ka pasur edhe rast abuzimi nga pjestarët e policisë të cilët, sipas saj, kanë bërë ndryshimin e  gjendjes faktike të rastit.

“Në përgjithësi mendoj që gjyqësori si në të gjitha rastet e tjera edhe në këto të gazetarëve ka qenë tepër i ngathët për t`i zgjidhur rastet”, thotë Haxhiaj.

Ajo është duke pritur epilogun e hetimeve të policisë lidhur me rastin e ngjyrosjes me ngjyrë të kuqe të veturës së saj, veprim ky që është bërë dy herë gjatë muajit mars të këtij viti. Sipas informacioneve që ajo ka, disa gjëra kanë lëvizur në drejtim të ndricimit të rastit.

“Dua të besoj se do të  ketë një epilog të mirë”, thotë Haxhiaj.

Në lidhje me këtë çështje, zyra për informim e Policisë së Kosovës bën të ditur se janë kryer hetime, por nuk ka arritur të identifikojë asnjë të dyshuar ose dëshmitar ndërsa në lokacionin ku është gërvishtur vetura dy herë, nuk ka asnjë kamerë.

Policia rastin e ka proceduar në prokurori, por kjo ka ndodhur në ditën kur ka kthyer përgjigje pas interesimit tonë për këtë çështje. Pyetjet për këtë rast janë adresuar tek zyra për informim e Policisë së Kosovës, më 19 nëntor 2018.

“Në pamundësi që deri më tani të identifikohet personi i dyshuar, hetuesi i rastit Proformen e ka shndërruar në rast, dhe me datën 27.11.2018 rasti është proceduar në prokurori kundër N.N. personave”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim të Policisë së Kosovës.

Ambienti i punës shpesh paraqet kërcënim për gazetarët

Sipas raportit hulumtues “Treguesit e Mediave 2015”, që mbështetet në këndvështrimin e gazetarëve mbi lirinë dhe kushtet e mediave në Kosovë,  gazetarët shprehen se ambienti ku punojnë paraqet një kërcënim për ta dhe se nuk ka reagim të duhur të policisë për t’i mbrojtur ata. Në kuadër të këtij hulumtimi, janë intervistuar 175 gazetarë të Kosovës. Përkatësia etnike e të anketuarve bazuar në mostrën e zgjedhur ka qenë: 81% shqiptarë, 14% serbë dhe pakicat e tjera janë të përfaqësuar me 5%.

Në pyetjen se a janë gazetarët të kërcënuar nga dhuna fizike gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, 22% u përgjigjën plotësisht; 62% deri në një masë po; 10% deri në një masë jo; dhe aspak 6%.

Në pyetjen se a u ofrohet mbrojtje gazetarëve nga policia në rastet kur kërkohet, 14 % prej të anketuarve kanë thënë plotësisht; 56 % deri në një masë po; 19 % janë shprehur deri në një masë jo; dhe 11% aspak.

Ndërsa në pyetjen se a i trajtojnë institucionet e drejtësisë rastet e kërcënimit ndaj gazetarëve në mënyrë adekuate, 7% kanë thënë plotësisht; 46 % janë shprehur deri në një masë po; 27 % deri në një masë jo; dhe 20% kanë thënë aspak.

Ndërkaq, të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës tregojnë se përveç sulmeve fizike dhe kërcënimeve, në vitet e fundit kanë filluar edhe sulmet ndaj pronave të gazetarëve dhe medieve.

      Numri i sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë ndër vite

           Viti Sulme fizike Kërcënime                Dëmtim prone Arrestime Arbitrare Burgosje
Të gazetarëve Të mediumeve
2014 6 9
2015 1 12 1
2016 2 8 2 1 2
2017 3 19 1 1
Nëntor 2018 2 11 1

Burimi: AGK

Rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve nuk janë trajtuar si duhet

Flutura Kusari juriste e fushës së medieve thotë se një nga arsyetimet më të shpeshta të prokurorisë dhe policisë lidhur me atë se pse nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për gjetjen e kërcënuesve të gazetarëve është se gazetarët nuk i raportojnë rastet.

Ajo thotë se problemi nuk është tek gazetari i cili nuk raporton, por tek prokuroria e cila e ka humbur besueshmërinë. Kusari thotë se edhe për rastet që janë raportuar, ndjekja nuk është kryer si duhet.

“Si mund të shkojë për shembull një gazetar në prokurori, nëse ai nuk i beson atyre”, thotë Kusari.

Ajo thotë se rastet e sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve nuk do të duhej të trajtoheshin sikur ndaj një qytetari të rëndomtë, por duhet që me Kodin Penal të parashihen vepra penale të veçanta kundër kërcënimit të gazetareve. Kjo sipas Kusarit do të kishte efekt në dy aspekte.

“E para, do të krijohej bindja në publik se nëse e kërcënon një gazetar, dënimi do të jetë shumë më i lartë. E dyta, do ta vëresh me policinë dhe të tjerët se është problem të klasifikohen rastet të cilat kanë të bëjnë me gazetarët, sepse hyjnë në të njëjtën kategori me rastet tjera”, thotë Kusari.

Ajo thotë se çështja e statistikave është mjaft problematike si në Kosovë dhe në Ballkan në përgjithësi, kështu që kjo do të kishte ndihmuar edhe në aspektin e klasifikimit të veprave ndaj gazetarëve.

Kusari thotë se për shkak të rritjes së numrit të kërcënimeve ndaj gazetarëve kohëve të fundit, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë rishikim të legjislacionit që i mbron gazetarët.

Sipas saj, ndodhë që policia dhe prokuroria nuk janë të përgatitur se si të merren me rastet e gazetarëve dhe ky element sipas saj, është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse e përcakton komplet rezultatin e hetimeve.

“Kjo normalisht se është e lidhur me ndjekjen penale, e cila idealisht do të duhej të rezultonte me një aktgjykim. E tash këtu është problemi tjetër me gjykatat”, thotë Kusari.

Ajo thotë se edhe ato pak aktgjykime që janë marrë për rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve, dënimetqë kanë marrë kërcënuesit kanë qenë vetëm 500 euro.

“Kjo jep një mesazh të gabuar në shoqëri se çfarë ju ndodhë atyre që kërcënojnë gazetarët”, thotë Kusari.

Hetimet duhet të fokusohen edhe te organizatorët e sulmit apo kërcënimit

Petrit Çollaku, drejtor i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), thotë se Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë përmirësuar mekanizmat për mbrojtjen e gazetarëve. Ai thotë se edhe Gjykata Themelore e Prishtinës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm me emërimin e koordinatorit që do t`i trajtojë rastet e gazetarëve në lëndët penale dhe civile.

Megjithatë, AGK kërkon që të tri këto institucione të jenë më efikase në mënyrë që hallka e këtij zinxhiri të funksionojë në rregull, thotë Çollaku.

“Një rast e kemi ku një aktakuzë ndaj një personi zyrtar që kishte kërcënuar një gazetar kishte arritur afatin e parashkrimit”, thotë Çollaku.

Ai thotë se Policia duhet t`i zgjerojë hetimet dhe t`i zbulojë organizatorët e sulmeve apo nxitësit e akteve të tilla ndaj gazetarëve.

Çollaku thotë se sivjet është ngritur aktakuzë ndaj një biznesmeni dhe një kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri.

“Të dy kanë kërcënuar me jetë gazetarët”, thotë Çollaku.

Ai thotë se gjatë këtij viti, gjykatat e Kosovës kanë trajtuar disa raste që përfshijnë gazetarët dhe mediet. Së fundmi, Gjykata Themelore e Mitrovicës, dega në Vushtrri ka dënuar dy persona me burg, për sulm fizik ndaj një gazetari në vitin 2016.

Çollaku thotë se në fillimvit, Gjykata Themelore e Pejës ka nxjerr verdikt në favor të një gazetari i cili ka qenë pre fushatës linçuese të një kompanie private. Ndërsa kompania është dënuar me 15 mijë euro kompensim ndaj gazetarit.

Sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës,  Gjykata Themelore e Prishtinës ka trajtuar disa raste civile ndërsa tri padi për shpifje kundër medieve, i ka hedhur poshtë. Kjo gjykatë poashtu ka sjell një aktgjykim në favor të një organizate joqeveritare në lidhje me qasjen në dokumente publike.