SafeJournalists: Sulm ndaj gazetarëve të Top Channel në Shqipëri

    0
    98
    photo: canva

    Gazetarët e emisionit hulumtues Fiks Fare janë sulmuar fizikisht më 8 shkurt, teksa po xhironin gërmimet e paligjshme në lumin Zeze në Nikel, Fushë Krujë, rreth 30 km larg kryeqytetit në Shqipëri.

    Droni i gazetarëve u qëllua me armë dhe tre burra të armatosur u dolën përpara ekipiti vetëm disa metra larg duke ua drejtuar atyre armët. Më pas një person i maskuar iu afrua atyre, duke u përpjekur të merrte kamerën me pamjet dhe duke sulmuar fizikisht ekipin e emisionit, njëherësh duke i kërcënuar për 30 minuta edhe me jetë. Ndonëse arritën të arratiseshin, grupi kishte pritur mbi 50 minuta për ndërhyrjen e policisë.

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive e dënuan sulmin, duke deklaruar se rrezikon lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve. Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar më 9 shkurt, konfirmoi se hetimet kanë nisur dhe se “materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”. Dy persona janë identifikuar si autorë të këtij sulmi, dhe janë duke u hetuar, por që ende nuk janë arrestuar nga policia. Njëherësh, ata janë përfshirë edhe në listën e personave që kërkohen nga policia.

    Ky nuk është sulmi i parë ndaj gazetarëve të Fiks Fare. Në Mars të vitit 2022, Platforma Rajonale Safe Journalists, pati reaguar edhe për sulmin ndaj ekipit të këtij emisioni nga kompania Obital, për xhirimin e bërë në Sukth të Durrësit.

    “Ky është një nga rastet më të rënda të sulmeve ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediale në Shqipëri në vitet e fundit. Ky është një sulm nga kompanitë private dhe individë që tentojnë të mbulojnë veprimtari të paligjshme, duke paraqitur kështu një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gazetarëve dhe ekipeve të tyre që merren me hulumtime, e që nga ana tjetër në të ardhmen i dekurajon gazetarët të merren me hulumtime në Shqipëri” – theksoi Blerjana Bino, hulumtuese në platformën rajonale Safe Journalists për Shqipërinë.

    Safe Journalists e dënon ashpër ushtrimin e dhunës fizike që përfshinte përdorimin e armës së zjarrit për kërcënim si të papranueshme dhe një shkelje serioze të sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve të medias. Kërkojmë një hetim të shpejtë, vënien e autorëve para drejtësisë dhe garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit nga terreni.

    Rrjeti SafeJournalists në lidhje me sulmin do të informojë të gjitha palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 10.02.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi