Raporti i DASH: Gazetarët në Kosovë kërcënohen të largohen nga puna nëse publikojnë shkrime kritikuese

0
233

PRISHTINË, 31.03.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin lidhur me gjetjet e Raportit të Departamentit të Shtetit i SHBA-ve për Kosovën, në lidhje me kufizimet e padrejta në medie nga vetë pronarët e tyre dhe dhuna ose kërcënimet për dhunë në drejtim të gazetarëve, në raportin e publikuar për vitin 2020.

Raporti evidenton se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, u kanë bërë presion gazetarëve dhe përfaqësuesve të medieve që të mos publikonin artikuj dhe storje të caktuara.

“Disa gazetarë u përmbajtën nga raportimi kritik hulumtues për shkak të frikës për sigurinë e tyre fizike ose sigurinë e punës”, thuhet ndër të tjera në raportin e Departamentit të Shtetit.

Sipas raportit, mediet e pavarura në Kosovë ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medieve, i kanë penguar ata të publikonin ose transmetonin materiale që kritikonin qeverinë, partitë politike ose disa zyrtarë publikë.

“Në disa raste, pronarët e medieve thuhet se kërcënuan të largonin nga puna gazetarët nëse publikonin shkrime kritikuese. Gazetarët, gjithashtu u ankuan se pronarët e medieve i kanë penguar të raportonin për korrupsionin e nivelit të lartë të qeverisë”, thuhet më tej në raport.

AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari.