Rregullorja e re për fonde publike për OJQ-të, mediat më shumë qasje në informata

0
250

PRISHTINË, 23/06/2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kënaqësinë të ju informojë që si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm, gazetarët do ta kenë më të lehtë marrjen e informacioneve nga autoritetet publike për financimin publik të organizatave joqeveritare.

Kjo është mundësuar pasi që Ministria e Financave e ka marrë parasysh shumicën e komenteve të AGK-së të dërguara gjatë procesit të konsultimit publik për Rregulloren MF-NR-04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve.

AGK ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të obligohen me rregullore që të bëjnë publike emrat e anëtarëve të komisioneve që bëjnë vlerësimin e aplikacioneve dhe planet, rregullat, rezultatet dhe raportet për dhënien e fondeve publike në sektorin joqeveritar.

Analiza ligjore dhe komentet janë përgatitur nga AGK në bashkëpunim me juristën e së drejtës së medias Flutura Kusari.

AGK do të vazhdojë të monitorojë legjislacionin dhe të ofrojë kontribut sa herë që kemi të bëjmë me lirinë e medias si dhe transparencë.

Me respekt,

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës