Sulmohet gazetari Valon Rashiti nga disa qytetarë

0
166

PRISHTINË, 12.06.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari Valon Rashiti, që i njëjti është sulmuar rreth orës 19.00 te Qendra Klinike Universitare e Kosovës nga disa persona.

Gazetari i televizionit T7, Valon Rashiti, ishte në hapësirat e QKUK-së, duke raportuar nga afër për një rast të plagosjes së dy personave i cili kishte ndodhur në orët e pasdites në Prishtinë, ku familjarët e njërit nga të plagosurit janë vërsulur në drejtim të gazetarit, Rashiti, me ç’rast e kanë goditur në kokë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me mjaft shqetësim këtë rast dhe vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me gazetarin në fjalë, të cilit i ka rekomanduar që menjëherë ta paraqes rastin në stacionin më të afërt policor.

AGK, ju bënë thirrje institucioneve përkatëse, Policisë dhe Prokurorisë që ta trajtojnë me seriozitet këtë rast dhe sulmuesi të sillet para drejtësisë.

Kujtojmë se ky sulm përbënë cenim të drejtpërdrejtë të punës së medieve dhe gazetarëve në informim të qytetarëve.

AGK që nga janari deri më sot ka regjistruar 12 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe rastin e sotëm.