PRISHTINË, 29.02.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon ashpër gjuhën fyese dhe denigruese që është përdorur ndaj gazetarit Labinot Balaj nga debuteti i AAK-së, Bekë Berisha.
Me mbishkrimin “‘Taksen s’bA me hjeke’, Balaj kishte shpërndarë një lajm në Facebook, ku thuhej se bashkëshortja e deputetit, Besa Shatri-Berisha mbante edhe katër pozita të tjera, përveç pozitës së kryesueses së Telekomit.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Berisha, i cili e ka telefonuar Balajn e më pas edhe e ka sharë në mënyrë banale në një bisedë në Facebook.
Përdorimi i një gjuhe të tillë nga një zyrtar shtetëror është fyerje për të gjithë gazetarët në vend dhe cenon lirinë e shprehjes së tyre.
AGK i bën thirrje z. Berishës dhe partisë që ai përfaqëson, AAK, të distancohen nga kjo qasje e papranueshme ndaj gaztarëve.
Secili zyrtar shtetëror dhe gjithë të tjerët që mund të jenë subjekt i shkrimeve të gazetarëve, t’i trajtojnë këta të fundit me respekt e dinjitet për punën që bëjnë dhe nëse kanë vërejtje t’i drejtojnë ato tek institucionet përgjegjëse.