SafeJournalists: Dënojmë ashpër kërcënimet monstruoze kundër gazetares malazeze Kristina Perković

SafeJournalists: Dënojmë ashpër kërcënimet monstruoze kundër gazetares malazeze Kristina Perković
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër kërcënimet tronditëse me vdekje ndaj gazetares së portalit Standard, Kristina Perković, duke e cilësuar këtë si një tjetër sulm serioz ndaj gazetarëve në Mal të Zi.

Sipas raportimeve të portalit Standard, Kristina Perković ka marrë kërcënime brutale me vdekje dhe therje, të drejtuara ndaj saj dhe anëtarëve të familjes së saj, nën një fotografi me fëmijët e saj në profilin privat në Facebook, dyshohet nga llogaria “nikolabatuta.novi_profil859561”. Rasti është raportuar në polici, ndërsa Prokuroria Themelore Shtetërore në Podgoricë ka hapur hetime.

Jemi thellësisht të shqetësuar si nga natyra brutale dhe e drejtpërdrejtë e këtyre kërcënimeve, ashtu edhe nga fakti se ato nuk synojnë vetëm një gazetare, por edhe familjen e saj. Si reagim, Grupi i Punës për Krijimin e Mekanizmit për Sigurinë e Gazetarëve në Mal të Zi ka kontaktuar znj. Perković dhe i ka ofruar mbështetje ligjore dhe psikologjike.

Kryetari i Sindikatës së Mediave të Malit të Zi (TUMM), Radomir Kračković, deklaroi se sindikata prej kohësh ka paralajmëruar se gratë gazetare po bëhen gjithnjë e më shumë objekt kërcënimesh, ngacmimesh dhe sulmesh seksiste në internet, gjë që konfirmohet edhe nga hulumtimet e TUMM-it.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi regjistruar 12 sulme të tilla, ndërsa që nga fillimi i këtij viti edhe tri kolege të tjera janë përballur me dhunë online. Një atmosferë e tillë kërkon reagim urgjent, të vendosur dhe efektiv nga institucionet dhe autoritetet kompetente, të cilat tashmë kanë në dispozicion një Kod Penal më të ashpër. Megjithatë, është thelbësore që dispozitat e tij të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme dhe pa vonesa”, tha Kračković.

Ai shtoi se ka ardhur koha që rastet e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve të përfundojnë me vendime gjyqësore adekuate, të cilat do të shërbejnë si paralajmërim dhe do të tregojnë qartë se në një shoqëri demokratike nuk ka vend për shënjestrimin dhe frikësimin e punonjësve të medias.

Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve kompetente që urgjentisht të identifikojnë dhe ndjekin penalisht personin përgjegjës për kërcënimet ndaj Kristina Perković dhe ta informojnë publikun në kohë për ecurinë e procedurave. Mungesa e reagimeve efektive institucionale dhe e sanksioneve adekuate në rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve vetëm sa e nxit klimën e pandëshkueshmërisë dhe dëmton lirinë e medias si dhe të drejtën e publikut për informim.

Rrjeti SafeJournalists thekson se gratë gazetare duhet të jenë të sigurta si në vendin e punës, ashtu edhe në hapësirën online.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 26 maj 2026

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi