AGK-ja e dënon targetimin nga tabloidet serbe të drejtores së AGK-së, Getoarbë Mulliqi, dhe gazetarit nga Vojvodina, Dinko Gruhonjiq

AGK-ja e dënon targetimin nga tabloidet serbe të drejtores së AGK-së, Getoarbë Mulliqi, dhe gazetarit nga Vojvodina, Dinko Gruhonjiq

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar dhe dënon fuqishëm shkrimin në tabloidin “Informer”, që ka targetuar drejtoren e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, dhe gazetarin e profesorin universitar, Dinko Gruhonjiq.

Në shkrimin e titulluar: “Dinko dhe gazetarja ‘shiptare’ përkrahin bllokuesit dhe sulmojnë Serbinë: Mirë që thonë që Serbia është fajtore për luftërat në Jugosllavi”, ky tabloid sulmon autorët e analizës që trajton raportimin për të kaluarën në katër shtete të Ballkanit Perëndimor – Kosovë, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni e Veriut. Analiza “Raportimi mediatik mbi ballafaqimin me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor” është realizuar si pjesë e një projekti të zyrës rajonale të organizatës joqeveritare gjermane ProPeace (ish-ForumZFD).

Shkrimi i targeton Gruhonjiqin dhe Mulliqin dhe i referohet me term denigrues etnik drejtores së AGK-së, gjë që nxit urrejtje ndëretnike në rajon.

AGK-ja e konsideron këtë artikull skandaloz dhe nxitës kundër punës profesionale të hulumtuesve të raportit, duke vënë në rrezik sigurinë e tyre personale.

Për më tepër, një komunikatë duke e targetuar edhe Mulliqin e ka lëshuar edhe Ministria e Informacionit e Serbisë.

AGK-ja e vlerëson këtë retorikë si të papërgjegjshme dhe të papranueshme, si edhe i fton mediat dhe akterët politikë në Serbi të mos sulmojnë në baza personale dhe etnike profesionistët e fushës.

AGK-ja gjithashtu kërkon nga akterët ndërkombëtarë në të dyja shtetet që ta dënojnë këtë fushatë.

AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me Mulliqin dhe Gruhonjiqin.