Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm shënjestrimin e hulumtueses dhe drejtoreshës ekzekutive të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Getoarbë Mulliqi, si dhe të gazetarit, profesorit universitar dhe drejtorit të programeve të Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës (NDNV), Dinko Gruhonjiq, pas publikimit të analizës së tyre mbi raportimin mediatik për ballafaqimin me të kaluarën në Ballkanin Perëndimor.
Fushata kundër tyre nisi me një artikull të publikuar nga tabloidi serb Informer me titullin: “Dinko dhe gazetarja ‘shqiptare’ mbështetën bllokuesit dhe sulmuan Serbinë”, ku autorët e analizës u ekspozuan ndaj etiketimeve nënçmuese, etnikisht të ngarkuara dhe nxitëse. Në artikull u përdor termi “Šiptarka”, një shprehje fyese dhe etnikisht denigruese që përdoret në gjuhën serbe për t’iu referuar një gruaje shqiptare dhe që konsiderohet gjerësisht ofenduese e stigmatizuese për shqiptarët.
Artikulli e paraqiste punën profesionale dhe gjetjet e hulumtimit si një sulm ndaj Serbisë, duke e shënjestruar Mulliqin për shkak të identitetit të saj etnik shqiptar, ndërsa Gruhonjiqin përmes etiketimeve politike dhe narrativave të vazhdueshme diskredituese.
Rrjeti SafeJournalists e konsideron të papranueshëm dhe të rrezikshëm përdorimin e fyerjeve etnike dhe retorikës diskriminuese ndaj gazetarëve. Raportime të tilla jo vetëm që shkelin parimet themelore të gazetarisë profesionale, por gjithashtu kontribuojnë në krijimin e një klime armiqësie, intolerance dhe rreziku të mundshëm për sigurinë e gazetarëve.
Veçanërisht shqetësues është deklarimi publik i mëvonshëm i Ministrisë së Informimit dhe Telekomunikacionit të Republikës së Serbisë, në të cilin i referohet analizës dhe, në një kontekst dukshëm negativ, përmend autorët e saj me emër dhe mbiemër. Ne e konsiderojmë të papërshtatshme që një ministri të veçojë publikisht autorë individualë dhe të vërë në dyshim besueshmërinë, motivet dhe integritetin e tyre profesional.
Duke vënë theksin te identiteti dhe angazhimi i mëparshëm publik i autorëve, në vend që të trajtojë çështjet e ngritura në analizë, Ministria rrezikon të kontribuojë në krijimin e një ambienti ku gazetarët dhe hulumtuesit bëhen objekt i presionit dhe frikësimit publik.
Rrjeti SafeJournalists rikujton se gazetarët, hulumtuesit dhe mbrojtësit e lirisë së medias duhet të kenë mundësinë të kryejnë kërkime, të publikojnë gjetjet e tyre dhe të marrin pjesë në debatin publik pa frikën e hakmarrjes, fushatave diskredituese apo shënjestrimit mbi baza etnike.
Mospajtimi me përfundimet apo opinionet e shprehura në një publikim nuk duhet të shërbejë kurrë si justifikim për sulme personale, gjuhë denigruese apo përpjekje për të diskredituar autorët.
Shënjestrimi i Getoarbë Mulliqit mbi baza etnike, përmes përdorimit të një termi fyes, është veçanërisht alarmues. Një retorikë e tillë ushqen intolerancën etnike dhe minon përpjekjet për forcimin e dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Po aq shqetësues është edhe shënjestrimi i vazhdueshëm i Dinko Gruhonjiqit, i cili prej vitesh përballet me kërcënime, ngacmime dhe fushata të koordinuara që synojnë diskreditimin e punës së tij profesionale dhe akademike.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve serbe, përfshirë Ministrinë e Informimit dhe Telekomunikacionit, të përmbahen nga retorika që mund të kontribuojë në stigmatizimin e gazetarëve dhe hulumtuesve të medias. Po ashtu, u bëjmë thirrje mediave që të respektojnë standardet profesionale dhe etike dhe të shmangin gjuhën që mund të nxisë armiqësi, diskriminim apo dhunë.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritetin e tij të plotë me Getoarbë Mulliqin dhe Dinko Gruhonjiqin dhe rithekson se siguria e gazetarëve, liria e shprehjes dhe e drejta për të kryer hulumtime të pavarura duhet të mbrohen në të gjithë rajonin.
Çdo sulm ndaj gazetarëve, qoftë për shkak të punës së tyre, opinioneve apo përkatësisë etnike, përbën sulm ndaj lirisë së medias dhe vlerave demokratike.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 17 qershor 2026
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi