Frikësimi i familjes së gazetares nga zyrtari publik

Frikësimi i familjes së gazetares nga zyrtari publik

PRISHTINË, 19.12.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dënon ashpër frikësimin e shkaktuar ndaj familjes së gazetares Saranda Ramaj nga një zyrtar publik. AGK është njoftuar nga anëtarja jonë, Saranda Ramaj se një person ka shkaktuar frikësim ndaj anëtarëve të familjes së saj gjatë kohës kur gazetarja Ramaj nuk ishte në shtëpi.

“Ejup Simnica, auditor në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm edhe pse person i panjohur për familjen time ai ka shkuar në shtëpinë time në Radavc të Pejës dhe prindërve të mi u ka lënë një vizitë kartë duke u thënë që të mos vazhdoj më të raportoj për të” tregon Ramaj ndër të tjera. Ajo ka njoftuar AGK-në se rasti tashmë është raportuar në Policinë e Kosovës.

Ramaj thekson se paraqitja e zyrtarit shtetëror tek familja e saj ka të bëjë me shkrimet e saj për bashkëshorten e Simnicës dhe si pasojë e shkrimeve është dënuar nga dy shkallë të gjykatës.

Ajo shtoi edhe një arsye të vizitës së tij të paparalajmëruar tek familja për shkak të një hulumtimi që ajo ka bërë në lidhje me punën e tij. Ramaj theksoi se ka hulumtuar një tender të jashtëligjshëm në Prokurorinë e Shtetit. Shkeljet e ligjit janë evidentuar edhe nga raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit, autor i së cilit është Ejup Simnica por të gjeturat janë larguar në raportin final. “Gazeta ka publikuar të dy raportet edhe draft raportin edhe raportin përfundimtar, ndërsa jemi në hulumtim e sipër të ndërlidhjes se mosarrestimit të zyrtares që është bashkëshortja e auditorit dhe fshehjen e shkeljeve nga auditori,” tha Ramaj.

Ky lloj frikësimi përpos se është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gazetarëve, po ashtu është kërcënim i kamufluar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njëkohësisht fton Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë që të hetojnë dhe gjykojnë rastin sipas ligjeve në Kosovë dhe duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.