PRISHTINË, 04.05.2019 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me UN Women filluan ciklin e trajnimeve për gazetarët e nivelit qendror, mbi temën “Media si një instrument i paqes”.
Trajnimi i parë u organizua së bashku me Ambasadën e Finlandës në Kosovë, ku mori pjesë edhe Ambasadorja Finlandeze, Pia Stjernvall, Kryetarja e Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe Shefja e Zyrës së UN Women, Vlora Tuzi Nushi.
Ligjëruese në trajnim ishte Susanna Inkinen, Këshilltare për media në organizatën International Media Support dhe Themeluese e Afghan Journalists Safety Committee.
Përmes këtij cikli të trajnime synohet të zgjerohen njohuritë mbi temën e ‘Raportimit ndaj konflikteve dhe rolin e medieve në ndërtimin e paqes’ sidhe të forcohen kapacitetet e gazetarëve duke aplikuar një qasje sa më korrekte gjatë raportimeve të tyre ndaj konflikteve, dhe njëkohësisht të aplikojnë edhe perspektivën gjinore.
Deri në fund të projektit janë planifikuar 4 trajnime me gazetarë të nivelit qendror dhe 4 punëtori me gazetarë të nivelit lokal, të cilat do të udhëhiqen nga ekspertë ndërkombëtar dhe si rezultat i këtyre aktiviteteve, do të hartohet një udhëzues mbi temën e lartëcekur.