Prishtinë, 06.12.2019- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton opinionin, se zyret e organizatës që gjenden në lokalet e Ndërmarrjes Publike Banesore në rrugën ” Perandori Justinian”, në Prishtinë janë thyer. Aty janë marrë sende me vlerë, të cilat kanë qenë mjete pune të organizatës: një aparat fotografik, një televizor dhe një llaptop.
Për rastin është njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi i Forenzikës për t’i bërë hetimet e nevojshme.
AGK është jashtëzakonisht e shqetësuar me këtë situatë dhe dënon ashpër këtë akt. Duke pas parasysh faktin që përball zyrës së AGK-së është Katedralja “Nënë Tereza”, si dhe lokalet tjera, të cilat kanë kamera përreth, AGK fton Policinë e Kosovës që të angazhohet maksimalisht në gjetjen e kryerësve të kësaj vepre penale.
Pavarësisht kësaj situate AGK mbetet e përkushtuar që ta kryejë misionin e saj e që është mbrojtja e punëtorëve medial dhe avokimi për të drejtat e tyre.