PRISHTINË, 25.12.2020 – Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Gentiana Begolli Pustina, priti në takim lamtumirës shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorin Jan Braathu.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer që OSBE-ja i ka ofruar AGK-së në realizimin e aktiviteteve të ndryshme përgjatë këtyre viteve.
Ambasadori Braathu, ndër të tjera, theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit të ndërsjellët.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë e vlerëson shumë bashkëpunimin me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të fuqizojmë partneritetin ndërmjet organizatave tona dhe të mbështesim gazetarët, sepse pa punën dhe informacionet e tyre, nuk mund të ketë qeveri demokratike. Gjithashtu, së bashku duhet të vazhdojmë të flasim publikisht për sulmet ndaj gazetarëve sepse ato padyshim ndikojnë në punën e tyre.”
Teksa, kryetarja Begolli Pustina u shpreh tejet falënderuese për përkrahjen e pakursyer të OSBE-së në Kosovë në krye me Ambadasorin, Jan Braathu. Sipas saj, funksionimi i AGK-së, pa mbështetjen e këtij mekanizimi do të ishte shumë i vështirë për mos të thënë i pamundshëm.
“E kam potencuar në disa konferenca dhe shfrytëzoj rastin ta them edhe në këtë takim lamtumirës se ju ambasador me të drejtë jeni cilësuar mik i vërtetë i gazetarëve dhe i vetë AGK-së. Shpresojmë që edhe shefi i ri i OSBE-së do të ofrojë mbështetjen që ju ja keni ofruar AGK-së, në mënyrë që së bashku të vazhdojmë të avokojmë për të drejtat e gazetarëve”.
Begolli Pustina falënderoi edhe Shefin e Seksionit për Media në Departamentin e Demokratizimit në OSBE, z. Dane Koruga, i cili për asnjë rast nuk ka hezituar t’iu përgjigjet kërkesave të AGK-së. “Keni qenë partneri më i afërt i AGK-së, për çka do të ju jemi mirënjohës gjithmonë”, theksoi Begolli Pustina.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ndau mirënjohje Ambasadorit Jan Braathu me rastin e përfundimit të mandatit të tij si shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, për ndihmën e pazëvendësueshme dhe besimin e dhënë për AGK-në dhe anëtarët e saj.