PRISHTINË, 26.02.2021 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian dhe Këshillin e Evropës “Liria e Shprehjes dhe Liria e Medieve në Kosovë (JUFREX2)”, mbajtën ligjëratë me studentë të gazetarisë dhe juridikut mbi zbatimin e së drejtës së lirisë së shprehjes në praktikë.
Pjesëmarrës në këtë ligjëratë ishin rreth 20 studentë të gazetarisë dhe drejtësisë, ku ligjëruese ishin Flutura Kusari –juriste e së drejtës së medies dhe Jehona Zhitia – gazetare shumëvjeçare në Radio Televizionin e Kosovës.
Ligjërata u fokusua në temat si: liria e medies, mbrojtja e reputacionit, sinjalizimi, e drejta e qasjes në dokumente publike, të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve, si dhe siguria dhe mbrojtja e tyre.
Gjatë kësaj ligjërate për pjesëmarrësit u prezantua edhe mënyra e ushtrimit të profesionit të gazetarisë në kushte të pazakonta, sikur në rastin e pandemisë COVID-19. Trajnuesit diskutuan sfidat që paraqiten për gazetarët gjatë raportimit në rrethana të tilla, si dhe sigurinë e tyre e cila vihet në rrezik.
Ligjërata u organizua në kuadër të projektit JUFREX2, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Kjo ligjëratë është në vazhdën e një serie aktivitetesh të parapara në projekt për gazetarë, punonjës medialë, studentë të gazetarisë dhe persona të tjerë të interesuar për lirinë e shprehjes.