Televizoni Syri nga Gjakova ka informuar se një ekip i tyre është penguar gjatë kryerjes së detyrës nga Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi.
“Ekipi i përbërë nga gazetari Ngadhnjim Haxhosaj dhe kameramani Valon Nixha i’ u përgjigjën kërkesës së banorëve të fshatit Bishtazhin të cilët na ftuan për të raportuar rreth një problemi që kishte shkaktuar vërshime në disa toka e në shkollën e fshatit. Të njëjtit u ofenduan e u penguan në kryerjen e detyrës nga kryeshefi Krasniqi, i cili tentoi t’i ndalojë gazetarin dhe kameramanin në raportim. Sipas ekipit gjuha e përdorur nga kryeshefi ishte banale, si dhe tentimi për ti penguar në detyrë ishte pengesë për raportimin e një shqetësimi të banorëve. Gjuhë e njëjtë në prezencë të ekipit tonë u përdorë edhe ndaj kolegëve të tij, gjë që gjithashtu kishte ndodhur edhe në raste tjera të mëhershme, ku kryeshefi Krasniqi nuk kishte kursyer kolegët nga kjo gjuhë, gjithashtu në prezencë të ekipeve tona”, thuhet në një njoftim për AGK-në, të këtij televizioni.
AGK-ja, e dënon këtë sjellje të Krasniqit ndaj ekipit televiziv, dhe fton ndërmarrjen ku punon ai që ta hetojë rastin dhe të ndërmarrë vendimet e nevojshme.
AGK-ja, u bën thirrje zyrtarëve të niveli lokal dhe qendror që të mos pengojnë punën e gazetarëve, raportimet e të cilave janë në interes të publikut.