AGK: Të gjeturat e raportit të Human Rights Watch, shqetësuese për gjendjen e sigurisë së gazetarëve në Kosovë

Human Rights Watch

PRISHTINË, 15.01.2020 – Hetimet dhe ndjekjet penale për rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve kanë qenë të ngadalshme, thuhet në raportin e publikuar të martën nga organizata ndërkombëtare me seli në New York, Human Rights Watch.

“Kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve kanë vazhduar, ndërsa hetimet dhe ndjekjet penale kanë qenë të ngadalshme. Kërcënimet në platformat e mediave sociale mbetën një problem i përhapur. Midis muajve janar dhe shtator, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës regjistroi 11 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave, përfshirë katër sulme fizike dhe shtatë kërcënime. Policia po hetonte katër nga rastet e raportuara në kohën e shkrimit të këtij raporti.” – shkruan në raportin e 30-të me radhë i cili përfshinë periudhën nga fundi i vitit 2018 deri në nëntor të vitit 2019.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehë shqetësimin për numrin e lartë të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve që janë raportuar gjatë vitit 2019, duke rikujtuar se deri në përfundim të këtij viti numri i rasteve është rritur në 19 sosh. Asnjë nga kryerësit e këtyre sulmeve dhe kërcënimeve nuk është ndëshkuar. Mosndëshkimi i tyre mund të ndikojë në pasigurinë e gazetarëve për të shkruar për fenomene negative që ndodhin në Kosovë. Prandaj i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndalojnë këtë praktikë dhe sulmet ndaj gazetarëve t’i trajtojnë më me prioritet.

Në kapitullin për lirinë e medieve në Kosovë, përmenden gjithashtu tri raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dy të cilat të shkaktuara nga zyrtarë apo parti politike.

“Në gusht, qeverisja PDK (Partia Demokratike e Kosovës) lëshoi një deklaratë duke i quajtur lajmet e gazetës online “Gazeta Express” si “lajme të rreme”, duke inkurajuar qytetarët t’i marrin me rezervë raportimet e saj. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte raportuar në maj që kreu i PDK-së Kadri Veseli i bëri presion kryeredaktorit të Gazetës Express. Ndërkohë që ky raport po përpilohej, policia po hetonte rastin.” – thuhet më tutje në raport.

AGK sërish fton të gjitha subjektet politike të distancohen nga sulmet, gjuha linçuse e cila gjithashtu mbetet një problem i përhapur në vend, apo çdo padrejtësi në drejtim të gazetarëve e cila cenon integritetin profesional të tyre.

Rikujtojmë që çdo sulm ndaj një gazetari është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.


Human Rights Watch, , 15/01/2020