Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër kallëzimin penal të paraqitur nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB) të Malit të Zi, Ivica Janović, kundër gazetarëve hulumtues të Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Malit të Zi (CIN-CG), Andrea Perišić dhe Đurđa Radulović, për shkak të punës së tyre profesionale.
Janović ka paraqitur kallëzim penal ndaj Perišićit, Radulovićit dhe personave të panjohur në lidhje me artikullin hulumtues “Verifikimet e sigurisë në ANB: A ndikohen punësimet nga dëshirat e të fuqishmëve?”, në të cilin gazetaret kanë shqyrtuar praktikat e rekrutimit në agjenci dhe punësimin e pretenduar të zyrtarëve që janë vlerësuar si rrezik për sigurinë.
Veçanërisht shqetësues është fakti se, sipas informacioneve që kemi në dispozicion, ky hulumtim gazetaresk është lidhur me veprën penale të zbulimit të informatave të klasifikuara, e cila sipas Kodit Penal të Malit të Zi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. Një qasje e tillë përbën kërcënim serioz për lirinë e medias dhe dërgon një mesazh frikësues për gazetarët që raportojnë mbi çështje me interes publik.
Në vend që të merrnin përgjigje për pyetje legjitime lidhur me funksionimin e një institucioni me rëndësi të madhe publike, gazetaret u përballën me një kallëzim penal të ngritur nga drejtuesi i atij institucioni. Jemi veçanërisht të shqetësuar nga fakti se Perišić dhe Radulović janë pyetur nga policia për të zbuluar burimet e tyre gjatë dhënies së deklaratave.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka theksuar vazhdimisht se mbrojtja e burimeve gazetareske është një nga shtyllat themelore të lirisë së medias dhe se detyrimi i gazetarëve për të zbuluar burimet e tyre mund të ketë efekt serioz frikësues ndaj burimeve të ardhshme dhe gazetarisë hulumtuese në përgjithësi.
Kryetari i Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, Radomir Kračković, ka theksuar se Mali i Zi ndodhet aktualisht në një fazë të ndjeshme të procesit të integrimit evropian dhe pret mbylljen e kapitujve kyç të negociatave. Në këto rrethana, sipas tij, është veçanërisht shqetësuese kur drejtuesi i një institucioni shtetëror dërgon mesazhin se gazetarët mund të përballen me ndjekje penale për hulumtimin e çështjeve me interes publik.
“Në një kohë kur Mali i Zi po përpiqet të dëshmojë progres në fushën e sundimit të ligjit dhe të përmbushë kriteret përfundimtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është thellësisht shqetësuese që drejtuesi i një institucioni të sigurisë po përpiqet ta kriminalizojë gazetarinë hulumtuese. Një shoqëri vërtet evropiane nuk mund të ndërtohet duke u dërguar gazetarëve mesazhin se publikimi i informatave me interes publik mund t’i ekspozojë ata ndaj hetimeve penale”, tha Kračković.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve kompetente të prokurorisë që të veprojnë në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, duke marrë parasysh rolin jetik të gazetarisë hulumtuese në një shoqëri demokratike.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve malazeze të përmbahen nga veprimet që mund të frikësojnë gazetarët ose të cenojnë të drejtën e tyre për të raportuar mbi çështje me interes publik.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj lirisë së medias dhe vlerave demokratike.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 18 qershor 2026
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi