Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër serinë e fundit të sulmeve të dhunshme dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Shqipëri.
Brenda pak më shumë se një jave janë regjistruar tre incidente të ndara, duke shënuar një përshkallëzim alarmant të dhunës dhe frikësimeve që synojnë gazetarët.
Më 13 shtator 2025, gazetari Edon Kuçi dhe një operator i emisionit investigativ Piranjat u sulmuan gjatë raportimit në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Kuçi u kërcënua verbalisht me rrëmbim nga Sinan Idrizi, aksionari kryesor i “Air Albania” dhe president i FC Flamurtari, siç shihet në pamjet filmike. Në të njëjtin incident, Refik Halili, president i FC Tirana, i konfiskoi me forcë telefonin Kuçit, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e tij gazetareske, siç raportohet dhe siç vërtetohet nga pamjet.
Më 11 shtator 2025, gazetarja Lorena Resulaj dhe operatori Nertil Mataj u sulmuan fizikisht gjatë raportimit në një lokal në rrugën Islam Alla në Tiranë. Pronari i lokalit, sipas raportimeve, i kërcënoi dhe i goditi të dy punonjësit e medias pasi ata refuzuan të largoheshin gjatë punës së tyre. Policia arrestoi autorin dhe çështja iu përcoll prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Më 5 shtator 2025, gazetarët Domenika Bajraktari dhe Enkel Elezi të programit investigativ STOP u sulmuan në Kamëz gjatë xhirimeve për një çështje me interes publik. Sulmi i pengoi drejtpërdrejt në ushtrimin e detyrës profesionale dhe i ndaloi të raportojnë. Autori u arrestua, ndërsa gjykata e la më pas me detyrim paraqitjeje.
Rrjeti SafeJournalists përshëndet reagimin e shpejtë të policisë në dy rastet e para, duke arrestuar autorët e sulmeve. Megjithatë, kërkojmë të njëjtën vendosmëri dhe llogaridhënie edhe kur përfshihen aktorë me ndikim, si në rastin e kërcënimeve dhe frikësimeve ndaj Kuçit dhe ekipit të Piranja. Këto akte të përsëritura dhune dhe intimidimi janë të papranueshme, përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën gazetareske dhe shkelin të drejtën e qytetarëve për t’u informuar mbi çështje me interes publik.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të menjëhershme, të plota dhe të pavarura për të tre incidentet dhe të sigurojnë që autorët të ndiqen penalisht dhe të mbajnë përgjegjësi pa vonesë, përfshirë rastet kur bëhet fjalë për aktorë me ndikim dhe fuqi. Po ashtu, u bëjmë thirrje institucioneve të ofrojnë masa mbrojtëse dhe ndjekje të rasteve për gazetarët që janë sulmuar ose kërcënuar. Është jetike forcimi i mekanizmave institucionalë për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e qasjes së sigurt të tyre në hapësira publike dhe aktivitete pa pengesa apo frikësime. Në këtë kuadër, ne përsërisim thirrjen për ngritjen e një mekanizmi emergjent të reagimit të shpejtë, për të siguruar që gazetarët nën kërcënim të marrin mbrojtje të menjëhershme dhe efektive.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me kolegët tanë Edon Kuçi, Lorena Resulaj, Nertil Mataj, Domenika Bajraktari dhe Enkel Elezi.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Tiranë – Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 15 shtator 2025
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BeH
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi