Rrjeti SafeJournalists (SJN) dënon ashpër valën e fundit të sulmeve të dhunshme dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Shqipëri. Brenda pak më shumë se një jave, janë regjistruar tre incidente të veçanta, duke shënuar një përshkallëzim shqetësues të dhunës dhe frikësimit ndaj gazetarëve.
Më 13 shtator 2025, gazetari Edon Kuçi dhe një kameraman i emisionit investigativ “Piranjat” u sulmuan gjatë raportimit në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. Kuçi u kërcënua verbalisht me rrëmbim nga Sinan Idrizi, aksioner mei shumicë i “Air Albania” dhe president i FC Flamurtari, siç shihet në pamjet filmike. Në të njëjtin incident, Refik Halili, president i FC Tiranës, i konfiskoi me forcë telefonin Kuçit, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e tij gazetareske, siç raportohet nga gazetari dhe siç vërtetohet në pamje.
Më 11 shtator 2025, gazetarja Lorena Resulaj dhe kameramani Nertil Mataj u sulmuan fizikisht gjatë raportimit në një lokal në rrugën Islam Alla në Tiranë. Pronari i lokalit, sipas raportimeve, i kërcënoi dhe i goditi punonjësit e medias pasi ata refuzuan të largoheshin gjatë raportimit. Policia arrestoi më pas të dyshuarin dhe rasti iu referua prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Më 5 shtator 2025, gazetarët Domenika Bajraktari dhe Enkel Elezi, nga emisioni investigativ “STOP”, u sulmuan në Kamëz gjatë xhirimeve të një kronike me interes publik. Sulmi i pengoi drejtpërdrejt në kryerjen e detyrave profesionale dhe i ndaloi të raportonin. Autori i ngjarjes u arrestua, por më pas u la i lirë me detyrim paraqitjeje nga gjykata.
Rrjeti SafeJournalists mirëpret veprimin e shpejtë të policisë në dy raste, ku autorët e sulmeve u arrestuan. Megjithatë, ne kërkojmë të njëjtën vendosmëri dhe llogaridhënie edhe kur përfshihen aktorë të fuqishëm, si në rastin e kërcënimeve dhe frikësimeve ndaj Kuçit dhe ekipit të “Piranjave”. Këto akte të përsëritura dhune dhe frikësimi janë të papranueshme dhe përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën gazetareske, si dhe shkelje të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar mbi çështje me interes publik.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare të zhvillojnë hetime të menjëhershme, të plota dhe të pavarura për të tre incidentet dhe të sigurojnë që autorët të ndiqen penalisht dhe të mbajnë përgjegjësi pa vonesë, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për aktorë me ndikim.
Ne gjithashtu i nxisim institucionet të ofrojnë masa mbrojtëse dhe ndjekje të rasteve për gazetarët që janë sulmuar apo kërcënuar. Është jetike të forcohen mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e gazetarëve dhe të garantohet qasja e tyre e sigurt në hapësira publike dhe ngjarje, pa pengesa apo frikësime. Në këtë kuadër, ne përsërisim thirrjen tonë për ngritjen e një mekanizmi emergjent me procedurë të përshpejtuar, i cili të sigurojë mbrojtje të menjëhershme dhe efektive për gazetarët nën kërcënim.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me kolegët tanë Edon Kuçi, Lorena Resulaj, Nertil Mataj, Domenika Bajraktari dhe Enkel Elezi.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Tiranë – Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 15 shtator 2025
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikatat e Mediave të Malit të Zi