Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmin seksist të drejtuar publikisht nga Dr. Boris Havel, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit (FPZG), ndaj gazetares Maja Sever, Kryetare e Sindikatës së Gazetarëve të Kroacisë (SNH) dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ).
Më 30 nëntor, Havel publikoi një mesazh ofendues në platformën X, i nxitur nga pjesëmarrja e Maja Severit në tubimin Antifashist të mbajtur në Zagreb të po asaj dite. Ky mesazh përbën një formë dhune me bazë gjinore dhe një sulm serioz ndaj integritetit profesional të gazetares, si dhe ndaj të gjithë komunitetit gazetaresk të cilin ajo përfaqëson.
Sulmet seksiste dhe denigruese janë të papranueshme në çdo rast, ndërsa janë edhe më shqetësuese kur vijnë nga një person i punësuar në një institucion që ka për detyrë të edukojë gazetarët dhe shkencëtarët politikë të së ardhmes. Përdorimi i gjuhës seksualizuese dhe fyerjeve nga një pozicion autoriteti akademik normalizon më tej mjedisin armiqësor në të cilin gazetarët në Kroaci punojnë prej vitesh.
Rrjeti SafeJournalists është veçanërisht i shqetësuar që fyerjet vulgare dhe seksiste ndaj Maja Severit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe u komentuan nga mijëra përdorues, duke krijuar një ndjekje publike të papërshtatshme ndaj koleges sonë dhe duke cenuar më tej pozicionin e saj si mbrojtëse e të drejtave të të gjithë gazetarëve, si dhe të grupeve të tjera vulnerabël e pakicave që çdo ditë përballen me dhunë online.
E mirëpresim reagimin e shpejtë të Shoqatës së Studentëve të FPZG-së dhe dënimin e shprehur nga Shoqata Kroate e Gazetarëve (HND). Ndërkohë, Fakulteti i Shkencave Politike ka publikuar deklaratën e vet zyrtare, duke u distancuar fuqishëm nga komentet e Dr. Havelit, duke dënuar çdo formë seksizmi dhe duke njoftuar se do të shqyrtojë të gjitha rrethanat përkatëse në përputhje me Kodin e Etikës së Universitetit dhe rregulloret e brendshme. Rrjeti SafeJournalists e mirëpret këtë dënim publik, por thekson se nga institucionet akademike pritet jo vetëm distancim formal, por veprim i qartë, i qëndrueshëm dhe transparent kur vihen në pikëpyetje integriteti profesional i gazetarëve.
Në kontekstin e kërcënimeve, sulmeve dhe fyerjeve me bazë gjinore që po shtohen ndaj gazetareve në të gjithë rajonin, deklarata të tilla krijojnë pasiguri shtesë dhe dërgojnë një mesazh të rrezikshëm se fyerja e gazetareve është e pranueshme. Kur kjo retorikë vjen nga ambienti akademik, përgjegjësia e institucionit është edhe më e madhe. Ne presim që FPZG të veprojë me përgjegjësi, të ndërmarrë masa konkrete dhe të dërgojë një mesazh të qartë se komuniteti akademik nuk do të tolerojë sjellje të tilla.
Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis që i mbron ata, e jo në një mjedis që toleron poshtërimin dhe normalizon dhunën. Në këtë kuadër, presim që Qeveria e Kroacisë të kundërshtojë dhunën ndaj gazetareve dhe institucionet gjyqësore të nisin procedurat e duhura ligjore ndaj personave përgjegjës për fyerjet vulgare, seksiste dhe me bazë gjinore të drejtuara ndaj Maja Severit dhe të gjitha gazetareve të tjera në Kroaci.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 5 dhjetor 2025
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi