Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim pas incidentit të ndodhur gjatë protestës së Partisë Demokratike më 8 maj 2026 në Tiranë, ku ekipi mediatik i Syri TV u prek nga përdorimi i topave të ujit nga policia, ndërsa raportonte drejtpërdrejt nga protesta.
Sipas pamjeve filmike, uji me presion goditi kamerën, operatorin Armando Varfi dhe gazetaren Marsi Korreshi, e cila po raportonte nga vendngjarja. Incidenti ndodhi gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, në momentin kur po përdoreshin masa për shpërndarjen dhe kontrollin e turmës.
Gazetarja Marsi Korreshi i tha Rrjetit SafeJournalists në Shqipëri se u godit dy herë nga uji me presion, nga një distancë shumë e afërt, kryesisht në zonën e fytyrës. Ajo deklaroi se goditja e dytë erdhi papritur dhe e rrëzoi në tokë.
“Të gjithë kolegët u përballën me shumë ujë, por unë pata fatin e keq që për një moment nuk arrita të mbrohesha dhe rashë. Besoj se të gjithë ishin në vështirësi mbrëmë,” u shpreh Korreshi.
Rrjeti SafeJournalists thekson se gazetarët, operatorët, fotoreporterët dhe punonjësit e tjerë të medias duhet të jenë në gjendje të raportojnë nga tubimet publike dhe protestat pa u ekspozuar ndaj rreziqeve joproporcionale. Përdorimi i masave për kontrollin e turmës duhet të marrë parasysh praninë e punonjësve të medias, të identifikueshëm qartë, dhe të zbatohet në mënyrë që të mos rrezikojë sigurinë e tyre apo të pengojë punën gazetareske.
Autoritetet kanë detyrimin pozitiv të garantojnë që gazetarët dhe punonjësit e medias të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë të sigurt, përfshirë edhe gjatë demonstratave me tension politik. Kjo kërkon masa proporcionale për menaxhimin e turmës, udhëzime të qarta operative për efektivët e policisë në terren, si dhe masa praktike mbrojtëse për punonjësit e medias që mbulojnë ngjarje me interes publik.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Policisë së Shtetit të shqyrtojë rrethanat e këtij incidenti, të vlerësojë nëse janë marrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e punonjësve të medias të pranishëm në protestë dhe të sigurojë që operacionet e ardhshme policore gjatë tubimeve publike të përfshijnë masa të qarta për sigurinë e gazetarëve dhe operatorëve.
Njëkohësisht, mediat duhet të vazhdojnë të kryejnë vlerësime të rrezikut dhe të ofrojnë udhëzime adekuate për sigurinë, si dhe pajisje mbrojtëse për stafin e angazhuar në mbulimin e ngjarjeve me rrezik të lartë.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet me Marsi Korreshin, Armando Varfin dhe të gjithë gazetarët e punonjësit e medias që mbuluan protestën në kushte të vështira. Mbrojtja e sigurisë së tyre është thelbësore për garantimin e të drejtës së publikut për informim.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 11 maj 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi