Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm shënjestrimin e gazetareve Darija Ranković nga redaksia Kolubarske dhe Slavica Vujanac nga portali vamedia.info, të cilat gjatë emisionit televiziv Paralela në Informer TV u akuzuan, pa u paraqitur asnjë provë, se “minojnë shtetin”, “zhvasin” dhe “shantazhojnë”. Gjatë emisionit u shfaqën fotografitë e tyre dhe ato u ekspozuan edhe ndaj fyerjeve që kishin të bënin me pamjen e tyre fizike.
Gjatë emisionit, Darija Ranković dhe Slavica Vujanac u akuzuan se marrin para nga institucionet shtetërore “për të minuar shtetin”, me arsyetimin se disa ndërmarrje publike lokale reklamojnë në mediat ku ato punojnë. Moderatorja Andrea Veskov, duke iu drejtuar drejtorëve dhe menaxherëve të institucioneve shtetërore, pyeti: “A jeni në vete?” dhe “Deri kur do të vazhdoni të financoni gjëra të tilla?”, duke pretenduar se fondet publike po përdoren për të financuar “shkatërrimin e shtetit”. “Pra, ju po i paguani këta njerëz që të nxisin trazira dhe ta rrëzojnë shtetin”, deklaroi Veskov.
Në të njëjtin emision u pretendua gjithashtu se zyrtarë lokalë dhe drejtues institucionesh publike u paguajnë këtyre mediave shuma të konsiderueshme parash si “zhvatje”, në këmbim të “paqes mujore”. Saša Milovanović, drejtor i Srpski telegraf, pretendoi se zyrtarët lokalë “sigurojnë favore duke paguar shuma të mëdha zhvatjeje këtyre mediave opozitare”, në mënyrë që ato të mos shkruajnë për ta dhe, në vend të kësaj, “të sulmojnë Vuçiqin”. Moderatorja më pas i akuzoi gazetaret se shkojnë “nga një kompani në tjetrën” dhe “fjalë për fjalë shantazhojnë dhe kërcënojnë njerëzit”, duke u bërë thirrje autoriteteve kompetente që “ta trajtojnë këtë çështje sa më shpejt”.
Gjatë prezantimit të fotografisë së Darija Rankovićit, moderatorja deklaroi: “E di që fotografia që do të shihni nuk është e këndshme për t’u parë, por duhet ta dini kush është Darija Ranković”, pas së cilës Milovanović bëri një koment fyes. Një poshtërim i tillë publik i gazetareve përbën një nga format më të ulëta të hakmarrjes ndaj mediave kritike dhe zërave kundërshtues.
Rrjeti SafeJournalists paralajmëron se këto akuza të pabazuara përbëjnë një shënjestrim të rrezikshëm të gazetareve dhe një përpjekje për t’i diskredituar ato në sytë e publikut. Akuzimi i gazetareve për minimin e shtetit, zhvatje dhe shantazh, pa paraqitur asnjë provë, mund të ketë pasoja serioze për sigurinë e tyre, integritetin profesional dhe aftësinë për të vazhduar ushtrimin e profesionit.
Veçanërisht alarmues është poshtërimi i tyre mbi baza gjinore përmes komenteve për pamjen fizike. Sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me kritika legjitime ndaj punës gazetareske; ato përbëjnë gjuhë seksiste dhe degraduese në hapësirën publike, me synimin për t’i poshtëruar dhe heshtur gazetaret.
Rrjeti SafeJournalists rikujton se fondet publike nuk i përkasin qeverisë, partive politike apo zyrtarëve publikë, por të gjithë qytetarëve të Serbisë. Ndarja e fondeve publike për media duhet të jetë transparente, e ligjshme dhe e bazuar në interesin publik. Është thellësisht shqetësuese që shpërndarja e fondeve publike po përdoret si pretekst për një fushatë diskredituese kundër gazetarëve dhe mediave lokale që raportojnë në mënyrë kritike.
Po ashtu, theksojmë se mediat proqeveritare në Serbi, si Informer dhe Srpski telegraf, përfitojnë shumat më të mëdha të financimit shtetëror përmes skemave të bashkëfinancimit publik dhe procedurave të prokurimit publik.
I bëjmë thirrje Ministrisë së Informimit që t’i dënojë këto sulme dhe, në kuadër të mandatit të saj, të kontribuojë në krijimin e një mjedisi ku gazetarët të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre pa presion, frikësim dhe linçim publik.
Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë për këtë rast akterët përkatës vendorë dhe ndërkombëtarë që monitorojnë lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 6 korrik 2026
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi