Shqipëri: Zyrtarët e zgjedhur duhet të shmangin shënjestrimin publik dhe delegjitimimin e organizatave mediatike

Shqipëri: Zyrtarët e zgjedhur duhet të shmangin shënjestrimin publik dhe delegjitimimin e organizatave mediatike
Photo: Canva

Organizatat nënshkruese shprehin shqetësim për shënjestrimin publik dhe delegjitimimin mbi baza etnike të Kristina Vokos, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Shqipëri (BIRN Albania), nga Ardit Bido, deputet i Partisë Socialiste, aktualisht në pushtet.

Rasti lidhet me një seancë dëgjimore parlamentare të mbajtur më 8 qershor në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku organizatat e shoqërisë civile diskutuan raportet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe transmetuesin publik RTSH. Gjatë kësaj seance, Kristina Voko ngriti një shqetësim legjitim dhe të bazuar në ligj lidhur me detyrimin e transmetuesit publik për të ofruar informim dhe përmbajtje gjithëpërfshirëse, përfshirë për pakicat kombëtare dhe personat me aftësi të kufizuara.

Kjo ndërhyrje më pas u shtrembërua në një postim publik të deputetit Bido, i cili e shënjestroi Vokon për shkak të përkatësisë së saj etnike dhe e paraqiti kontributin e saj të ligjshëm si përfaqësuese e shoqërisë civile në Parlament si të dyshimtë, antikombëtar ose të lidhur me interesa të huaja. Një retorikë e tillë është e papranueshme nga një përfaqësues i zgjedhur. Ajo rrezikon ta kthejë pjesëmarrjen në proceset parlamentare në shkak për frikësim dhe delegjitimim publik.

Jemi po ashtu të shqetësuar që, pas reagimit të përbashkët të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri, deputeti Bido publikoi një tjetër postim, në të cilin jo vetëm që nuk kontribuoi në uljen e tensioneve, por e zgjeroi sulmin ndaj BIRN Albania dhe organizatave të shoqërisë civile në përgjithësi. Në atë postim, ai i paraqiti organizatat e shoqërisë civile si aktorë të financuar nga jashtë që synojnë përfitime financiare përmes “viktimizimit” dhe e akuzoi BIRN Albania për prodhim të “lajmeve të rreme”. Kjo retorikë kontribuon më tej në delegjitimimin e organizatave të pavarura monitoruese, mekanizmave të llogaridhënies mediatike dhe zërave të shoqërisë civile.

Zyrtarët publikë kanë të drejtë të kritikojnë raportimet mediatike ose qëndrimet e organizatave të shoqërisë civile. Megjithatë, kritikat duhet të bazohen në fakte dhe nuk duhet të mbështeten në referenca etnike, insinuata për lojalitet ndaj interesave të huaja, narrativa denigruese mbi financimin e shoqërisë civile apo gjuhë që i paraqet zërat kritikë si armiq.

Ky rast është veçanërisht shqetësues në kontekstin aktual të mobilizimit qytetar rreth Zvërnecit dhe zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, të njohur publikisht si “Revolucioni i Flamingove”. Qytetarët, aktivistët, gazetarët, organizatat mediatike dhe grupet e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime lidhur me mbrojtjen e mjedisit, transparencën, konsultimin publik, llogaridhënien dhe respektimin e sundimit të ligjit. Në një kontekst të tillë, retorika që i paraqet zërat kritikë si “të huaj”, “armiq” apo të motivuar etnikisht mund të krijojë efekt dekurajues ndaj pjesëmarrjes publike, protestës paqësore, lirisë së medias dhe hapësirës qytetare.

Zyrtarët publikë dhe aktorët politikë kanë një përgjegjësi të shtuar për të shmangur gjuhën që mund të nxisë armiqësi ndaj gazetarëve, organizatave për llogaridhënie mediatike, përfaqësuesve të shoqërisë civile, aktivistëve dhe qytetarëve. Kjo përgjegjësi është edhe më e madhe kur debati publik lidhet me të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, detyrimet e transmetuesit publik dhe pjesëmarrjen në proceset parlamentare të mbikëqyrjes.

I bëjmë thirrje deputetit Ardit Bido që t’i tërheqë postimet e publikuara, të ndalë shënjestrimin publik të Kristina Vokos dhe BIRN Albania, si dhe të kërkojë falje publike.

I bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë, Kryetares së Kuvendit, Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe organeve përgjegjëse për etikën parlamentare që të distancohen qartë nga kjo retorikë dhe ta shqyrtojnë rastin në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe standardet që priten nga deputetët.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e liderit të shumicës qeverisëse, të dërgojë një mesazh të qartë publik se shënjestrimi i organizatave të shoqërisë civile, mediave, gazetarëve, aktivistëve apo qytetarëve mbi bazën e përkatësisë etnike, origjinës, gjuhës apo mendimit kritik është i papranueshëm.

Pjesëmarrja e shoqërisë civile në seancat dëgjimore parlamentare, puna për llogaridhënie mediatike dhe mobilizimi paqësor qytetar nuk janë kërcënim për demokracinë. Përkundrazi, ato janë elemente thelbësore të saj.

Nënshkruesit

Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR):

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Reporterët pa Kufij (RSF)

Rrjeti SafeJournalists

Shoqata Kroate e Gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Organizata e Mediave të Evropës Juglindore (SEEMO)

Nisma Ballkanike për Media të Lira (BFMI)

Rrjeti për Raportim mbi Diversitetin (Reporting Diversity Network)