SafeJournalists: Dënojmë fyerjet seksiste, nacionaliste dhe kërcënimet e drejtuara ndaj një gazetareje në Serbi

SafeJournalists: Dënojmë fyerjet seksiste, nacionaliste dhe kërcënimet e drejtuara ndaj një gazetareje në Serbi
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists dënon fuqimisht fyerjet seksiste dhe me motive etnike, si dhe kërcënimet e drejtuara ndaj gazetares së Bečejski mozaik, Kristina Demeter Filipčev, përmes komenteve në Facebook. Rrjeti u bën thirrje institucioneve kompetente të reagojnë urgjentisht, të identifikojnë përgjegjësit dhe të sigurojnë mbrojtjen e gazetares.

Pas raportimit mbi zgjedhjet lokale të mbajtura në Kula të dielën, gazetarja Kristina Demeter Filipčev u përball me një sërë fyerjesh me bazë gjinore dhe etnike, si dhe me kërcënime për përdhunim dhe mesazhe që nxisnin izolimin e saj. Mesazhe të tilla përbëjnë një formë serioze të dhunës në internet, ngacmimit me bazë gjinore dhe frikësimit, që synojnë poshtërimin, heshtjen dhe dekurajimin e gazetares nga ushtrimi i profesionit të saj.

Komente të tilla si: “Blloko shtëpinë e këtij gazetari”, “Je terrorist ustash…”, si dhe mesazhe të tjera me përmbajtje seksiste dhe fyese, përbëjnë gjuhë urrejtjeje të papranueshme, shënjestrim mizogjin dhe nacionalist, si dhe kërcënime që duhet të merren seriozisht. Është veçanërisht shqetësuese që dhuna e seksualizuar dhe armiqësia etnike përdoren si mjete për të sulmuar një gazetare vetëm sepse ajo po kryente detyrën e saj profesionale dhe raportonte për një ngjarje me interes publik.

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS) do t’i raportojë kërcënimet në Prokurorinë për Krime të Teknologjisë së Lartë dhe pret një hetim të shpejtë, efektiv dhe të plotë. Mungesa e një reagimi institucional në kohë në raste të tilla dërgon një mesazh të rrezikshëm pandëshkueshmërie dhe inkurajon më tej dhunën ndaj gazetarëve.

Theksojmë se gazetarët që raportojnë nga komunitete më të vogla shpesh përballen me presion të shtuar, pasi punojnë në mjedise ku identifikohen lehtësisht, dhe pasojat e shënjestrimit të tyre shpesh prekin edhe familjet. Për këtë arsye, kërkohet veprim urgjent institucional, i shoqëruar me dënim të qartë publik të çdo forme frikësimi dhe dhune në internet.

Rrjeti SafeJournalists paralajmëron se zyrtarët publikë mbajnë përgjegjësi të veçantë për klimën shoqërore në të cilën ndodhin sulme të tilla. Shënjestrimi i shpeshtë i gazetarëve dhe mediave të pavarura në deklarata publike nga zyrtarë të lartë kontribuon në krijimin e një atmosfere armiqësore, nxit fushata urrejtjeje dhe inkurajon perceptimin e kërcënimeve dhe fyerjeve si mjete të pranueshme kundër mediave.

Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritet të plotë me Kristina Demeter Filipčev dhe u bën thirrje aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë të monitorojnë nga afër trajtimin e këtij rasti nga institucionet.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtina – Shkupi – Sarajeva – Zagrebi – Beogradi – Podgorica – Tirana, 31 mars 2026

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve Maqedonas
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi