Ilustrim: Canva
Koalicioni për Lirinë e Medias dhe Rrjeti SafeJournalists dënojnë fuqishëm sulmin që ndodhi natën mes së shtunës dhe së dielës, kur tre persona të maskuar vandalizuan veturën e David Gruhonjiqit, djalit të gazetarit dhe profesorit universitar Dinko Gruhonjiq.
Fakti që sulmi u krye nga tre persona që fshehën identitetin e tyre është veçanërisht alarmues, pasi tregon se bëhet fjalë për një veprim të planifikuar me qëllim frikësimin. Mënyra se si është kryer ky sulm dërgon mesazhin se objektiv nuk janë më vetëm gazetarët, por edhe anëtarët e familjeve të tyre, çka përbën një përshkallëzim të rrezikshëm të presionit dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së tyre.
Ky incident nuk mund të shihet si rast i izoluar. Prej vitesh, Dinko Gruhonjiq ka qenë një nga shënjestrat më të shpeshta të kërcënimeve, fushatave diskredituese dhe linçimit publik në Serbi. Ai është përballur vazhdimisht me kërcënime, fushata të koordinuara për diskreditimin e tij dhe sulme fizike. Pothuajse asnjë prej këtyre rasteve nuk ka marrë zgjidhje adekuate ligjore, gjë që ilustron modelin e kahershëm të mosndëshkueshmërisë për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
Veçanërisht shqetësues është fakti se vetëm gjatë javës së kaluar, Gruhonjiq ishte objekt i një fushate intensive diskredituese në mediat proqeveritare, së cilës iu bashkuan edhe disa zyrtarë publikë dhe aktorë politikë. Fushata të tilla ushqejnë më tej armiqësinë ndaj gazetarëve dhe paraqesin rrezik serioz për sigurinë e tyre.
Kur gazetarët etiketohen publikisht për ditë të tëra si armiq, tradhtarë apo objektiva legjitime të sulmeve, përgjegjësia për pasojat e një retorike të tillë bie pikërisht mbi ata që e përdorin dhe e promovojnë atë. Të gjitha këto rrethana ngrenë dyshime serioze se ky sulm është kryer nga persona të lidhur me pushtetin, me mbështetjen e grupeve të ndryshme të dhunshme që veprojnë në përputhje me interesat dhe udhëzimet e tyre.
Sulmi ndaj pronës së një anëtari të familjes së një gazetari është një sinjal i rrezikshëm se presioni nuk kufizohet më vetëm në punën profesionale të gazetarëve, por po shtrihet edhe tek njerëzit më të afërt të tyre. Për këtë arsye, institucionet duhet ta trajtojnë këtë rast me seriozitetin maksimal.
I bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë që të identifikojnë dhe ndjekin penalisht pa vonesë personat përgjegjës për këtë sulm, si dhe ta informojnë publikun për ecurinë dhe rezultatet e hetimit. Institucionet shtetërore kanë detyrimin të mbrojnë gazetarët dhe familjet e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona që kanë qenë të ekspozuar ndaj fushatave të vazhdueshme të shënjestrimit dhe frikësimit.
Koalicioni për Lirinë e Medias dhe Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojnë ta monitorojnë nga afër këtë rast dhe të informojnë opinionin vendor dhe ndërkombëtar, duke kërkuar llogaridhënie për çdo formë dhune, frikësimi dhe persekutimi ndaj gazetarëve.
Koalicioni për Lirinë e Medias:
Shoqata e Mediave, Shoqata e Mediave Online (AOM), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Vojvodinës (IJAV), Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (IJAS), Shoqata e Bizneseve të Mediave Lokale dhe të Pavarura “Lokal Pres”, Fondacioni “Slavko Ćuruvija” dhe Sindikata e Degës së Kulturës, Artit dhe Medias “Nezavisnost”.
Rrjeti SafeJournalists:
Shoqata Kroate e Gazetarëve, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës, Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë dhe Sindikata e Mediave të Malit të Zi