SJ: shpreh shqetësimin mbi urdhrin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës më 19 shtator 2022

SJ: shpreh shqetësimin mbi urdhrin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës më 19 shtator 2022
photo: canva

Rrjeti i SafeJournalists i dërgoi një letër ku shpreh shqetësimin Z. Arsen Cela, Drejtues i Prokurorisë Tiranë, në lidhje me urdhrin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës më 19 shtator 2022.

I nderuar Z. Arsen Çela,

Po shkruaj në emër të Rrjetit SafeJournalists, që mbledh më shumë se 8200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë gazetarë nga Shqipëria, ne veprojmë për shkeljen e të drejtave të gazetarëve, duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe kufizimin e lirive të medias.

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin për urdhrin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës. Më 19 shtator 2022, ky institucion nxori një “urdhër” që ndalonte të gjitha mediat në Shqipëri të publikonin të dhëna ose informacion nga skedarët që ishin hakuar nga serverët dhe sistemet kompjuterike shqiptare dhe më pas kishin rrjedhur në internet. Kjo ndodhi pas një vale sulmesh kibernetike ndaj serverëve dhe sistemeve kompjuterike shqiptare në muajt e fundit nga hakerë të mbështetur nga shteti Iranian. Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhrin dhe paralajmëroi se mediat që shkelin urdhërin do të përballen me hetim penal sipas neneve 103, 208 dhe 304 të kodit penal.

Ne jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e informacionit të rrjedhur, si gazetarët ashtu edhe mediat kanë përgjegjësi profesionale në paraqitjen e një informacioni të tillë, duke pasur parasysh të gjitha rregulloret dhe të drejtat ligjore, por nga ana tjetër ata duhet të kenë parasysh interesin publik dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar rreth çështjeve me interes publik.

Kërcënimet për hetime penale dhe bllokim të faqeve të internetit për mediat apo gazetarët që shkelin urdhrin e ndalimit do të kenë ndërkohë një efekt censurues në raportim dhe mund të hapin derën për kriminalizimin e veprimtarisë legjitime gazetareske. Asnjë gazetar, redaktor apo botues në Shqipëri nuk duhet të ndiqet penalisht për publikimin e një informacioni të saktë mbi një çështje me interes publik.

Rrjeti ynë me mbështetjen e organizatave të tjera, ka reaguar publikisht për rastin dhe ka informuar palët e interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë incident.

Rrjeti SafeJournalists i kërkon Prokurorisë së Tiranës të vërë në dispozicion urdhrin dhe arsyetimin mbi këtë të fundit. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve në Shqipëri të shmangin ndërmarrjen e çdo hapi të mëtejshëm që cenon ushtrimin e gazetarisë së përgjegjshme ose rrezikon lirinë e gazetarëve që publikojnë materiale me interes publik.

Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në vijim.

Mbetemi në pritje të përgjigjes suaj.

Me përzemësi,

Marija Babic

Në emër të

Shoqata e Gazetarëve të BiH

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë