SafeJournalists: Kërcënime ndaj gazetarit boshnjak Dragan Bursac

SafeJournalists: Kërcënime ndaj gazetarit boshnjak Dragan Bursac

Dragan Bursac, gazetar dhe kolumnist nga Bosnja dhe Hercegovina, është kërcënuar në profilin e tij në rrjetin social Instagram.

Një person me emër dhe mbiemër të plotë i dërgoi mesazhe kërcënuese Bursacit, disa prej të cilave janë: “Po ju rikonfirmoj premtimin. Do të mbash shumë m** në gojë, po ta dije se sa do të shkoje në atë kishë “serbe” për t’iu lutur Zotit.” “Ky është një kërcënim i hapur, o pisllëk i qelbur, kështu që mund ta raportosh ku të duash, ne po të presim gjithsesi.” “Do të mbash m** në gojë për ca kohë. Shumë e pakëndshme. Do ta kuptosh kur të takohemi”. Rasti është raportuar në Policinë e Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë duke pasur parasysh se kërcënimet janë dërguar nga Serbia.

Kjo nuk është hera e parë që Bursac kërcënohet. Ai është vazhdimisht në shënjestër të kërcënimeve dhe ofendimeve për shkak të punës së tij të përgjithshme gazetareske dhe artikujve për ballafaqimin me të kaluarën e luftës në rajonin e ish-Jugosllavisë dhe artikujve të orientuar në mënyrë kritike ndaj autoriteteve nacionaliste në rajon.

Drejtori i Rrjetit të SafeJournalists, Dragan Sekulovski, deklaroi se kërcënimet në internet ndaj punonjësve të mediave janë po aq të rrezikshme sa kërcënimet tradicionale, prandaj nuk duhet të anashkalohen dhe shtoi se: “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike nuk duhet të shpërfillin kërcënimet ndaj gazetarëve sepse në në këtë mënyrë ata do të jenë përgjegjës për krimet e urrejtjes me të cilat gazetarët mund të përballen më vonë. Fakti që kryesi në rastin e Bursac është i regjistruar me emër dhe mbiemër, e bën hetimin më të lehtë, prandaj pritet edhe dënimi në përputhje me ligjin”, tha Sekulovski.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon kërcënimet ndaj Bursacit dhe u bën thirrje autoriteteve kompetente të kryejnë një hetim dhe të ndëshkojnë në mënyrë adekuate personin që ka dërguar kërcënimet.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 05.11.2022

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Gazetarëve të BH

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi