Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 anëtarë në gjithë Ballkanin Perëndimor, dënon ashpër vrasjen e pesë gazetarëve nga një sulm ajror izraelit mbi Spitalin Nasser në Khan Younis, Gaza, më 25 gusht 2025.
Sipas raporteve të mediave ndërkombëtare, gazetarët Mariam Abu Dagga (freelancere që bashkëpunonte me Associated Press dhe media të tjera), Mohammed Salama (Al Jazeera), Hussam al-Masri (kontraktor i Reuters), Moaz Abu Taha (NBC) dhe Ahmed Abu Aziz (Quds Feed / Middle East Eye) u vranë gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale. Sulmi goditi spitalin dy herë, me goditjen e dytë që kishte në shënjestër zonën ku ishin mbledhur gazetarët dhe ekipet e shpëtimit pas shpërthimit të parë.
Gazetarët janë civilë të mbrojtur sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare. Vrasja e tyre përbën jo vetëm një shkelje të rëndë të të drejtave themelore, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit dhe të drejtës së publikut për t’u informuar. Sulmi i së hënës vjen pas një serie incidentesh vdekjeprurëse ndaj punonjësve të medias në Gaza. Vetëm dy javë më parë, gjashtë gazetarë, përfshirë katër nga Al Jazeera, u vranë nga një tjetër sulm izraelit pranë Spitalit Al-Shifa në Qytetin e Gazës. Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 200 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë në Gaza, duke e bërë këtë një nga konfliktet më vdekjeprurëse për profesionin e gazetarisë në historinë moderne. Këto sulme të përsëritura dëshmojnë për kushtet gjithnjë e më të rrezikshme në të cilat punojnë gazetarët dhe nënvizojnë domosdoshmërinë për masa konkrete që të garantohet siguria e tyre.
Rrjeti SafeJournalists njëherësh thekson me forcë: gazetaria nuk është krim — por vrasja e gazetarëve është. Veprime të tilla përbëjnë krime të rënda lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të gjitha konventave dhe standardeve përkatëse ndërkombëtare. Askush, përfshirë ushtrinë izraelite, nuk ka të drejtë të vërë në shënjestër dhe të vrasë gazetarë e punonjës të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale në Rripin e Gazës. Me vrasjen e gazetarëve, forcat izraelite nuk po heshtin vetëm individët, por edhe po shuajnë të vërtetën, duke ia mohuar botës informacionin e rrallë që ende arrin të dalë përtej censurës dhe kufizimeve të raportimit në lidhje me luftën në Gaza, falë gazetarëve palestinezë.
Rrjeti SafeJournalists bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe të paanshëm për këtë sulm dhe për vendosjen e plotë të përgjegjësisë ndaj atyre që qëndrojnë pas tij. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjitha palëve në konflikt që të respektojnë detyrimet e tyre sipas të drejtës ndërkombëtare dhe të garantojnë mbrojtjen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe gjithë civilëve.
Rrjeti shpreh ngushëllimet më të thella për familjet dhe kolegët e gazetarëve që humbën jetën dhe shpreh solidaritet të plotë me gjithë komunitetin gazetaresk në Gaza.
Rrjeti SafeJournalists thekson se institucionet mediatike kanë një detyrim kujdesi ndaj punonjësve të tyre. Gazetarëve që raportojnë nga mjedise jashtëzakonisht të rrezikshme duhet t’u sigurohet pajisje e plotë sigurie profesionale dhe mbështetje adekuate. Ne i kujtojmë të gjitha organizatave mediatike se garantimi i sigurisë vjen përpara çdo detyre pune, dhe se asnjë histori nuk e justifikon rrezikimin e jetës së një gazetari.
Çdo sulm ndaj një gazetari është një sulm ndaj demokracisë dhe ndaj të drejtës së shoqërive kudo për t’u informuar.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 26 gusht 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të BH-së
Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi