PRISHTINË 09.10.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të martën ka mbajtur mbledhje përkujtimore për ish-gazetarin, Ibrahim Rexhepi.
Jeta dhe vepra e Ibrahim Rexhepit, si profesionist i fushës së gazetarisë u vlerësua lartë nga ish-kolegët dhe bashkëpunëtorët me të cilët ai ka punuar për vite të tëra. Ibrahim Rexhepi rrugëtimin e tij në profesionin e gazetarisë e kishte nisur që në vitin 1976 në të përditshëm “Rilindja”, ku punoi deri në ndalimin e saj.
Ish-kolegia dhe bashkëpunëtorja në gazetën “Rilindja”, Evliana Berani, e ka kujtuar Rexhepin si një profesionist të pashoq të çështjeve ekonomike. Berani ndër të tjera tha se nga Ibrahim Rexhepi si kolegë, si mik dhe si mentor ka mësuar aspektin praktik të rendit të ri demokratik, tregun e lirë dhe konkurrencën si dhe shumë aspekte tjera të fushës ekonomike.
Rexhepi për shumë vite punoi edhe si kolumnist dhe redaktor i ekonomisë në gazetën “Koha Ditore”, si dhe ka drejtuar emisionin për ekonomi në Kohavision. Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, tha se Ibrahim Rexhepi ishte njohësi më i mirë i gazetarisë ekonomike dhe mësues i mirë i gjeneratave të reja të gazetarëve.
“Ibra shquhej me profesionalizmin dhe qetësinë e tij. Ishte padyshim njohësi më i mirë i gazetarisë ekonomike. Por ishte edhe mësuesi më i mirë për gjeneratat e reja. Dhjetëra gazetarë dhe redaktorë kanë marrë mësimet me të vlefshmet nga ai. Është ndër të vetmit që e ndërtoj një stil të ri të gazetarisë ekonomike,” ka thënë ndër tjera Bajrami.
Ibrahim Rexhepi vlerësohej si profesionist jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, tha se Rexhepi do të mbesë në memorien e komunitetit të gazetarëve të hapësirës shqiptare si njëri ndër gazetarët me të mirë të profilit ekonomik.
Për vite të tjera Ibrahim Rexhepi ka qenë pjesë e pandashme edhe e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në veçanti në vlerësimet e storieve profesionale nga fusha e ekonomisë. Duke e vlerësuar atë si një njëri madhështor dhe profesionist, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli – Pustina, tha se Ibra ishte dhe mbetet një gazetar i respektuar nga të gjithë.
“Nuk kam besuar se fjalimin tim të parë si përfaqësuese e gazetarëve të Kosovës do ta filloj me një fjalim mortor. Aq ma pak dedikuar një njeriu që tërë jetën ia kushtojë gazetarisë dhe të vërtetës. Një gazetari e eksperti të respektuar nga të gjithë. Një njeriu që nuk ka kush ta zëvendësoj në komunitetin tonë, sepse Ibrahimi ka qenë një… Ishte madhështor dhe si i tillë na la,” ka thënë ndër tjera kryetarja Begolli – Pustina.
Ndërkaq, në emër të familjes Rexhepi, foli Skënder Rexhepi, i cili tha se Ibrahimi ishte i të gjithëve, dhe si i tillë ai ishte në njëri i madh.
Në fund, pjesëmarrësit në këtë mbledhje komemorative patën rastin t’i shkruajnë kujtimet e tyre për Ibrahim Rexhepin në librin e zisë.