AGK e mirëpret ngritjen e aktakuzës për sulmin ndaj Gazetës Online Insajderi



PRISHTINË, 25.08.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e mirëpret vendimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarit, Ardian Alajt, për tri vepra të rënda penale që lidhen me sulmin drejt Gazetës Online Insajderi si dhe urdhërin për fletarrest ndaj të dyshuarit tjetër, Florim Alajt.

Kjo aktakuzë është ngritur më 13 gusht, teksa është bërë publike gjatë ditës së sotme. Aktakuza i ngarkon të dyshuarit, Ardian Alajn dhe Florim Alajn, për veprat penale hyrje në sistemet kompjuterike, vetëgjyqësi dhe keqpërdorimit të besimit.

“Duke filluar nga data 20.04. 2020, në vazhdimësi , i pandehuri Ardian Alaj në bashkëkryerje me të pandehurin Florim Alaj, kanë ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që mendojnë se u takon në atë mënyrë që i pandehuri Florim Ala, nga Zvicra, pasi ishte duke e mirëmbajtur rrjetin e portalit në aspektin teknologjik , e për të cilën gjë e kishte autorizuar të pandehurin Ardian Alaj si mirëmbajtës i rrjetit në Prishtinë për këtë portal, fillimisht i kanë paralajmëruar të dëmtuarit se do t’i largojnë e më pas këtë veprim e kanë përmbushur me datën e lartcekur ku i kanë larguar në mënyrë të kundërligjshme të dëmtuarit Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri dhe punëmarrësit e tjerë nga domeni www.insajderi.com”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

AGK-ja e mirëpret ngritjen e aktakuzës ndaj të dyshuarve për sulmin ndaj insajderi.com, ku si pasojë e tij rrezikoheshin të humbin punën 43 gazetarë.

Andaj, AGK kërkon nga organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet dhe seriozitet rastet ku janë të përfshirë gazetarët, në radhë të parë që të garantohet raportimi i lirë dhe i pavarur i medieve në Kosovë, si dhe të garantohet zhvillimi i demoracisë në vend.


, ,