AGK: Pengimi i ekipit realizues të Klan Kosovës në palestrën “Shani Nushi”, i papranueshëm



PRISHTINË, 12.11.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka pranuar me shqetësim informatën se është penguar ekipi realizues i Klan Kosovës në palestrën “Shani Nushi”, në Gjakovë.

Ekipi i përbërë nga: Petrit Mulliqi (përgjegjës, regjisor), kameramanët Urim Bajçinovci, Rinor Topalli, Mustafë Tenezhdolli (Re-play), Bajram Emini (audio), Liridon Sefa (ndriçim), Gazmend Salihu (shofer) dhe Dardan Haxhija (IT ArtMotion), janë penguar në kryerjen e detyrës zyrtare nga përgjegjësi i palestrës dhe i një pjesëtari të sigurimit.

Pengimi ka ndodhur dje më 11 nëntor rreth orës 17:00, kur ekipi kishte kërkuar asistencë nga zyrtari i palestrës për t’i futur pajisjet në sallë dhe për t’u përgatitur për transmetimin e ndeshjes Vllaznimi – Trepça.

Sipas Drejtorit të Programit të Sportit në Klan Kosova, Agon Fehmiu, ekipit realizues i është refuzuar hyrja në palestër nga përgjegjësi i saj, duke u përcjellë me ofendime, kanosje dhe sulm fizik.

“Pas kontakteve me zyrtarë të FBK-së dhe KB Vllaznimit për raportimin e rastit, fillimisht në palestër ka arritur zyrtari i KB Vllaznimit, por pavarësisht nga prezenca e tij sjelljet kërcënuese dhe fyerjet e zyrtarit të sallës në drejtim të ekipit realizues nuk janë ndërprerë. Ndërkohë, me thirrje të KB Vllaznimit për asistencë policore, patrulla e Policisë së Kosovës ka arritur në palestër rreth orës 18:30 minuta, që ishte vonë dhe ka pamundësuar realizimin e transmetimit e ndeshjes së basketbollit”, ka thënë për AGK-në Fehmiu.

Në lidhje me rastin, AGK-ja ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se mosmarrëveshja ka ndodhur pasi që ekipi realizues i Klan Kosovës ka tentuar të hyjnë në palestër dy orë para ndeshjes.

“Patrulla policore i është përgjigjur rastit, ka kontaktuar më të dy palët e përfshira në mosmarrëveshje dhe nga personeli i sigurimit ka marrë njohuri se ekipi xhirues i “KLAN KOSOVA”, ka tentuar të hyjë në brendi të qendrës dy orë më parë para kohës së caktuar. Të njëjtëve i është pamundësuar hyrja dhe nga kjo ka lindur mosmarrëveshja verbale. Patrulla policore ka kontaktuar dhe shefin e ekipit të televizionit që ishte prezent, dhe nga ai kanë pranuar deklarim të njëjtë mbi moslejimin e tyre të hyrjes dy orë para, por më pastaj iu është lejuar hyrja, dhe kjo ekipë ka refuzuar të hyjnë dhe janë larguar nga aty”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Policia gjithashtu ka bërë ditur se pas vlerësimit të çështjejes nuk kanë inicuar rast.

Pengimi i ekipit realizues së Klan Kosovës përderisa ishin në krye të detyrës është tërësisht i papranueshëm dhe paraqet trysni.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa ndaj sjelljes së përgjegjësit të kësaj palestre.


, ,