Foto: Canva
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për incidentet që kanë prekur gazetarët dhe punonjësit e mediave gjatë protestave të mbajtura në Tiranë më 2 korrik 2026.
Tubimet publike janë çështje me interes të qartë publik. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt për kërkesat e qytetarëve, reagimet e institucioneve, veprimet e policisë dhe zhvillimet në terren. Ushtrimi i së drejtës për tubim paqësor duhet të shoqërohet me respektimin e lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Sipas raportimeve publike dhe materialeve video, gazetari i SYRI TV, Fatjon Gjinaj, dyshohet se është goditur gjatë ndërhyrjes së policisë, teksa po raportonte për protestën pranë Kuvendit të Shqipërisë. Pretendimet që lidhen me veprimet e policisë kërkojnë shqyrtim të menjëhershëm dhe serioz, pasi Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë gazetarët, të lehtësojë punën e tyre dhe të sigurojë që çdo ndërhyrje gjatë tubimeve publike të jetë në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.
Në një incident të veçantë, më vonë gjatë së njëjtës ditë, gazetarja e Top News, Kleida Muka, dhe kameramani që e shoqëronte u penguan dhe u sulmuan nga disa persona, ndërsa po raportonin drejtpërdrejt nga protesta pranë Kryeministrisë. Sipas raportimeve të publikuara dhe materialeve video, ekipi mediatik u përball me fyerje, shtyrje dhe thirrje për t’u larguar nga vendi i raportimit gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Këto raste vijnë në një kontekst shqetësimesh më të gjera në Shqipëri lidhur me sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të mediave që raportojnë nga protestat qytetare në vazhdim. Protestat nisën në fund të muajit maj 2026 si reagim ndaj punimeve përgatitore në zonën e mbrojtur bregdetare Vjosa-Nartë/Zvërnec dhe më pas u zgjeruan në kërkesa më të gjera kundër qeverisë, përfshirë edhe dorëheqjen e Kryeministrit.
Shqetësimet e raportuara përfshijnë pengimin e raportimit, agresion verbal, ndërhyrje ndaj kamerave dhe mikrofonëve, si dhe presion ndaj gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe stafit teknik të identifikueshëm në terren. Kritika ndaj mënyrës së raportimit të mediave është legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk duhet të shndërrohet në armiqësi, pengim apo presion ndaj punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Rrjeti SafeJournalists rikujton se gazetarët dhe punonjësit e mediave nuk janë palë në protestë. Roli i tyre është të raportojnë për çështje me interes publik dhe të dokumentojnë zhvillimet në hapësirën publike. Çdo sulm, frikësim, pengim apo presion ndaj gazetarëve cenon lirinë e medias dhe kufizon të drejtën e publikut për t’u informuar.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve kompetente që të verifikojnë pa vonesë të gjitha incidentet e raportuara që kanë prekur gazetarët, me vëmendje të veçantë ndaj pretendimeve që lidhen me sjelljen e policisë, si dhe të sigurojnë llogaridhënie në rastet kur konstatohen shkelje.
Po ashtu, Rrjeti u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubimet publike që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të përmbahen nga çdo formë pengimi, frikësimi apo sulmi ndaj ekipeve mediatike.
Gazetarët duhet të kenë mundësi të raportojnë nga protestat në mënyrë të sigurt, pavarësisht mediumit që përfaqësojnë apo mënyrës se si ai medium perceptohet nga një pjesë e publikut.
Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta monitorojë situatën dhe të regjistrojë rastet e verifikuara në bazën e tij të të dhënave.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 3 korrik 2026
Shoqata Kroate e Gazetarëve
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi