SafeJournalists: Diskutimet në KPM për mbylljen e mundshme të “Debat Plus” shqetësim serioz për lirinë e medias

SafeJournalists: Diskutimet në KPM për mbylljen e mundshme të “Debat Plus” shqetësim serioz për lirinë e medias

Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz për deklaratat e bëra në mbledhjen e fundit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), ku nënkryetarja e këtij institucioni, Drita Morina, deklaroi se, nëse emisioni politik “Debat Plus”, që transmetohet në TV Dukagjini, vazhdon të “shkelë” rregullat, duhet të shqyrtohet mundësia e mbylljes së tij. Sipas saj, kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të KPM-së.

Ky propozim vjen pas një sërë masash ndëshkuese dhe gjobash të vendosura së fundmi nga KPM-ja e sapokonstituuar ndaj mediave, duke shtuar shqetësimet për qasjen e këtij institucioni ndaj mediave të pavarura dhe gazetarisë kritike në Kosovë. Vlen të theksohet se diskutimi pason një ankesë të paraqitur nga një anëtar i Qeverisë nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me komentet e bëra nga një i ftuar gjatë një debati të transmetuar drejtpërdrejt në këtë emision.

Megjithëse KPM-ja ka kompetenca ligjore për të shqiptuar masa ndaj transmetuesve të licencuar në rastet kur konstatohen shkelje dhe pasi të jenë ndjekur procedurat përkatëse, çdo masë e tillë duhet të jetë në përputhje me garancitë kushtetuese për lirinë e shprehjes, lirinë e medias, parimin e proporcionalitetit dhe sigurinë juridike. Rrjeti SafeJournalists rikujton se Gjykata Kushtetuese e Kosovës së fundmi ka shfuqizuar pjesë të rëndësishme të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke vlerësuar se disa dispozita që lidhen me kompetencat dhe sanksionet e KPM-së nuk ishin në përputhje me standardet kushtetuese dhe mbrojtjen e lirisë së medias.

Ajo që e bën këtë rast veçanërisht shqetësues është fakti se diskutimi për mbylljen e “Debat Plus” nuk duket të jetë rezultat i ndonjë shkeljeje të drejtpërdrejtë nga vetë emisioni apo i ndonjë shkeljeje të vazhdueshme nga transmetuesi. Përkundrazi, ai vjen si pasojë e komenteve të bëra nga një i ftuar gjatë një debati të transmetuar drejtpërdrejt.

Nëse dikush konsideron se deklaratat e një panelisti përbëjnë shpifje, nxitje apo ndonjë veprim tjetër të kundërligjshëm, rruga e duhur është kërkimi i mbrojtjes ligjore përmes institucioneve kompetente ndaj personit që i ka bërë ato deklarata. Mekanizmat rregullatorë nuk duhet të përdoren për të kërkuar mbylljen e një programi mediatik vetëm për shkak se ai ka transmetuar një debat të drejtpërdrejtë ku një i ftuar ka shprehur qëndrime kontroverse apo të diskutueshme.

Fakti që po diskutohet mundësia e mbylljes së një emisioni politik televiziv për shkak të deklaratave të një të ftuari ngre shqetësime serioze për pavarësinë editoriale, pluralizmin mediatik dhe efektin dekurajues që veprime të tilla mund të kenë ndaj transmetuesve dhe gazetarëve. Mbajtja përgjegjëse e një emisioni të tërë për deklaratat e bëra nga një pjesëmarrës në një debat të drejtpërdrejtë rrezikon të dekurajojë debatin e hapur publik dhe të minojë rolin e medias si platformë për diskutim demokratik.

Ne e konsiderojmë këtë propozim tronditës dhe tregues të asaj se deri ku është e gatshme të shkojë KPM-ja për të kufizuar lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në Kosovë. Vetë ideja e mbylljes së një emisioni politik televiziv është e papranueshme dhe nuk duhet të merret fare në konsideratë. Kjo vetëm sa e përforcon shqetësimin tonë se KPM-ja është shndërruar në një organ të përbërë nga mbështetës të partisë në pushtet, Vetëvendosje, të emëruar me misionin për të frikësuar gazetarët dhe mediat, me shpresën se kjo do të çojë edhe në vetëcensurë. U bëjmë thirrje kolegëve tanë të vazhdojnë punën e tyre në interes të publikut dhe t’i sfidojnë në gjykatë vendimet dhe gjobat e njëanshme të vendosura ndaj mediave”, tha Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje KPM-së të përmbahet nga veprime apo deklarata publike që mund të perceptohen si presion ndaj mediave të pavarura, të veprojë në mënyrë strikte brenda mandatit të saj ligjor dhe të sigurojë që çdo masë rregullatore të respektojë plotësisht detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës në lidhje me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Rrjeti SafeJournalists do të vazhdojë ta monitorojë nga afër këtë çështje dhe mbetet i gatshëm të informojë mekanizmat përkatës evropianë dhe ndërkombëtarë për lirinë e medias nëse shqetësimet lidhur me presionin rregullator ndaj mediave vazhdojnë.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 12 qershor 2026

Shoqata Kroate e Gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi