Kërcënime të tjera ndaj gazetares Lindita Cela, 13.04.2026, Tiranë

Kërcënime të tjera ndaj gazetares Lindita Cela, 13.04.2026, Tiranë

Translations: English 

  • Informacioni i rastit

  • Informacione Personale

  • Qendra rajonale
    Tiranë
  • Kush u sulmua?
    Gazetari
  • Gjinia
    Grua
  • Emri i viktimës
    Lindita Cela
  • Media

  • Emri i medias
    Shteg
  • Lloji i platformës mediatike
    Media Online
  • Burimi i informacionit për ngjarjen
    https://www.youtube.com/watch?v=zkVulYkFrKc
  • Të dhënat e incidentit

  • Data e incidentit
    13.05.2026
  • Qyteti
    Tirana
  • Autori(t)
    I njohur (i dyshuar)
  • Sulmuar nga
    Personat publikë
  • Mjetet e incidenteve dhe sulmeve
    Postime ose komente në rrjetet sociale
    Nëpërmjet mediave (transmetim, shtyp, online)
  • Lloji i incidentit
    Kërcënime të tjera për gazetarët
  • Lloji i kërcënimit
    Deklarata agresive, ngacmuese ose diskriminuese
  • Veprimet e autoriteteve

  • Aksioni i marrë nga shoqata e gazetarëve

  • A ishte shoqata e gazetarëve të informuar drejtpërdrejt nga gazetarët?
    po
  • Cili ishte reagimi i shoqatës së gazetarëve?
    Shoqata ka reaguar publikisht

Më 11 maj 2026, gjatë një programi televiziv, Monika Kryemadhi, ish-kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ish-deputete, iu referua publikisht gazetares investigative Lindita Çela në lidhje me raportimin e saj mbi çështjen CEZ-DIA në vitin 2015. Kryemadhi pretendoi se historia e CEZ-DIA-s kishte nisur me një artikull të shkruar nga Çela, i cili, sipas saj, ishte marrë nga Lulzim Basha, ish-kryetar i Partisë Demokratike dhe ish-lider i opozitës. Çështja CEZ-DIA është pjesë e procedimeve penale pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri.

Pas deklaratës së Kryemadhit, Lindita Çela publikoi një reagim në Shteg.org, ku hodhi poshtë pretendimin dhe deklaroi se raportimi i saj nuk është porositur, furnizuar apo drejtuar nga asnjë aktor politik. Në komunikimin me SafeJournalists në Shqipëri, Çela tha se pjesa më e vështirë nuk është vetë deklarata, por përpjekja e përsëritur për të deformuar publikisht integritetin e saj profesional. Ajo shpjegoi se Shteg.org është krijuar pikërisht për të ofruar një hapësirë ku gazetaria nuk negociohet me politikën dhe ku askush nuk dikton se çfarë duhet apo nuk duhet të publikohet. Çela theksoi gjithashtu se, sipas saj, deklarata të tilla nuk prekin vetëm atë personalisht, por mund të dëmtojnë edhe besueshmërinë e Shteg.org, sidomos si një media e vogël dhe e pavarur, marrëdhënia e së cilës me lexuesit dhe partnerët mbështetet te besimi publik.

Më 13 maj 2026, pas reagimit publik të Çelës, Kryemadhi publikoi një video në Instagram, ku vijoi t’i drejtohej drejtpërdrejt gazetares. Në video, Kryemadhi i tha Çelës të mos “mbronte Lulzim Bashën”, duke pretenduar se Basha e kishte futur “në rrugë të gabuar”. Ajo përdori gjithashtu lojë fjalësh me emrin e medias së Çelës, Shteg.org, duke thënë “mos rri shtigjeve, dil përballë”.

Gazetaria investigative mbi korrupsionin, pushtetin publik dhe llogaridhënien e nivelit të lartë përbën raportim në interes publik dhe gëzon mbrojtje të veçantë në një shoqëri demokratike. Politikanët dhe figurat publike kanë të drejtë t’i përgjigjen raportimeve mediatike, të kundërshtojnë informacione që i konsiderojnë të pasakta dhe të kërkojnë korrigjim, të drejtë përgjigjeje apo mjete ligjore përmes kanaleve të përshtatshme. Megjithatë, kjo e drejtë duhet të ushtrohet në një mënyrë që respekton rolin e gazetarisë në një shoqëri demokratike. Debatet mbi raportimet mediatike duhet të fokusohen te faktet, përmbajtja e raportimit dhe mekanizmat e duhur të përgjigjes, pa krijuar presion të panevojshëm publik mbi gazetarët apo mediat për shkak të punës së tyre në interes publik.

 

Reagimi i plotë i Lindita Çelës për SafeJournalists në Shqipëri:

Për ta thënë shumë sinqerisht, pjesa më e vështirë nuk janë vetë deklaratat. Me kalimin e viteve mësohesh me faktin që, në momentin kur zgjedh të raportosh mbi korrupsionin apo njerëz me pushtet, herët a vonë do të bëhesh edhe vetë objekt sulmi. Ajo që lodh më shumë është përpjekja e vazhdueshme për të deformuar publikisht integritetin tënd profesional, sidomos kur e di sa shumë sakrifica ka pasur pas kësaj pune.

Shteg.org lindi pikërisht nga kjo nevojë: për të pasur një vend ku gazetaria të mos negociohet me politikën dhe ku askush të mos të telefonojë për të diktuar se çfarë duhet apo nuk duhet të publikohet. Dhe kjo është shumë më e vështirë nga sa duket nga jashtë. Të mbash gjallë një media të pavarur në Shqipëri do të thotë të punosh shpesh me pasiguri, me presion dhe me vetëdijen që çdo investigim serioz mund të sjellë sulme publike apo targetim personal.

Kur politikanë të caktuar përmendin emrin tim për të ndërtuar narrativa që u shërbejnë hallit të tyre politik apo gjyqësor, sigurisht që ka ndikim. Jo vetëm profesional, por edhe njerëzor. Sepse pas emrit publik ekziston një jetë normale, me lodhje, me familje, me përpjekjen për të mbajtur një standard jetese të ndershëm nga puna jote.

Por këto sulme nuk prekin vetëm mua personalisht. Ato mund të ndikojnë edhe te vetë Shteg.org, sepse kur vihet në dyshim integriteti i një gazetari, synimi shpesh është të goditet besueshmëria e medias ku ai punon. Për media të vogla dhe të pavarura si Shteg, besimi i publikut është gjithçka. Dhe kur politikanët përdorin ekranet televizive për të krijuar dyshime apo narrativa të pavërteta, kjo mund të ndikojë te marrëdhënia me lexuesit, partnerët apo edhe te mundësia për të vazhduar të bësh gazetari të pavarur me të njëjtën forcë. Kjo është arsyeja pse sulme të tilla nuk duhen parë thjesht si debate personale, por edhe si forma presioni ndaj medias së lirë.

Por në fund, kjo është edhe arsyeja pse vazhdoj ta bëj këtë punë. Sepse besoj që gazetaria nuk ka kuptim nëse nuk është e lirë të shqetësojë pushtetin. Dhe ndoshta fakti që sulmet vazhdojnë, është prova më e qartë që kjo punë ende ka vlerë.”

Reagimi i AGSH.