SafeJournalists: Gazetarët janë objektiv i kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes në internet në Bosnje dhe Hercegovinë

Gazetarja e AlJazeera Balkans, Dalija Hasanbegovic – Konakovic postoi në llogarinë e saj në Twitter një sërë mesazhesh kërcënuese dhe me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes, të cilat i shkruajnë persona të ndryshëm nën postimet e saj në rrjetet sociale, si dhe i dërgojnë me mesazhe.

Një nga personat që i ka dërguar fyerje dhe kërcënime është Jasmin Mulahusic, i cili tashmë është nën hetim për përhapje të jotolerancës kombëtare dhe fetare, gjuhë të urrejtjes, kërcënime dhe propagandë negative ndaj gazetarëve përmes rrjeteve sociale. Siç thekson Shoqata e Gazetarëve të BH, Linja e tyre e Ndihmës për Gazetarët ka raportuar deri në 15 raste të kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes të përhapura nga Jasmin Mulahusic, dhe ndjekësit e tij në Facebook tek institucionet kompetente – policia dhe zyrat e prokurorisë në Kantonin e Sarajevës, dhe në nivel shtetëror. Prokuroritë deri më tani kanë hedhur poshtë pesë kallëzime, me arsyetimin se nuk ka elemente të veprës penale. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës njoftoi në shtator të vitit 2021 se kishin hapur një hetim kundër Mulahusic, por ata nuk kanë deklaruar nëse do të ngrihen akuza. Nga Prokuroria e Shtetit kanë konfirmuar për media se janë duke punuar në disa raste që kanë të bëjnë me Jasmin Mulahusic, por nuk kanë dashur të japin ndonjë informacion shtesë.

Dalija Hasanbegovic – Konakovic foli për luftën e saj kundër dhunës kibernetike dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale në kuadër të fushatës sonë Gratë Gazetare në Vijën e Parë të Raportimit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.

Jam shënjestër e një grupi profilesh të rreme dhe reale që në mënyrë të organizuar me një agjendë të mirëmenduar, tentojnë të më diskreditojnë me gënjeshtra, të më njollosin reputacionin, ose në rastin më të keq – të provokojnë një palë të tretë për të më sulmuar. Edhe pse çdo gjë është raportuar në mënyrë të rregullt në Prokurorinë e Kantonit të Sarajevës, rasti im është mbajtur prolonguar për më shumë se tre vjet e gjysmë”, tha Hasanbegovic – Konakovic.

Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i dënon ashpër kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar gazetares Hasanbegovic – Konakovic. Rrjeti u bën thirrje institucioneve kompetente në Bosnjë dhe Hercegovinë që të marrin masa urgjente dhe të identifikojnë personat që kanë bërë këto komente, t’i ndjekin penalisht dhe t’i ndëshkojnë në mënyrën e duhur. Institucionet duhet të tregojnë vendosmëri në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, dhe të dërgojnë një mesazh të qartë se një sjellje e tillë është e papranueshme.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët relevante kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 24.03.2023

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi