Tiranë, 30 mars 2026 – Një konferencë e fundit për shtyp nga Ministria e Financave e Shqipërisë, pjesë e një praktike të re të prezantimeve javore live, ofroi një moment të rrallë shkëmbimi të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe gazetarëve në Shqipëri. Vetë formati përbën një hap pozitiv, por kushtet në të cilat zhvillohen këto shkëmbime janë po aq të rëndësishme.
Gjatë kësaj konference për shtyp, transmetimi zyrtar live u ndërpre në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, pikërisht në momentin kur gazetari Osman Stafa i News24 po bënte pyetje. Ky shkëmbim mbeti i disponueshëm vetëm përmes kamerës dhe transmetimit online të News24.
Transparenca kërkon akses dhe vazhdimësi, veçanërisht kur gazetarët ngrenë çështje me interes publik.
Nga procedura administrative tek çështjet e pushtetit
Gjatë konferencës për shtyp, gazetari Osman Stafa ngriti shqetësime që shkonin përtej shpjegimeve teknike mbi kontrollet tatimore. Pyetjet e tij vinin në dukje mundësinë e selektivitetit, praktika të raportuara brenda administratës tatimore, si dhe mungesën e një llogaridhënieje të qartë kur vendimet rrëzohen. Ai iu referua gjithashtu një rasti konkret të lidhur me raportimet e emisionit “Vetting” në News24, duke përshkruar atë që e quajti një “valë gjobash hakmarrëse” që prekin biznese të lidhura me median.
Përgjigjet e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, mbetën brenda kufijve proceduralë. Kontrollet u përshkruan si të bazuara në analizën e riskut dhe të mbështetura në kritere ligjore, si kontribute të papaguara shoqërore, burime të dyshimta financimi dhe paga të deklaruara të ulëta. Konfidencialiteti u përmend si kufizim, ndërsa gazetarët u orientuan drejt mekanizmave formalë të ankesave. Ky shkëmbim evidentoi një hendek mes mënyrës se si sistemi paraqitet formalisht dhe mënyrës se si perceptohet kur shqetësimet përfshijnë aktorë mediatikë.
Zhvendosja e fokusit: nga llogaridhënia institucionale te kushtet e gazetarëve
Një moment kyç erdhi kur Ministri ndryshoi drejtimin e diskutimit, duke iu drejtuar gazetarit:
“Unë për ju do shqetësohesha për faktin nëse po ju paguhen apo jo sigurimet shoqërore, sepse do vini në një pikë që nuk do jeni në gjendje të merrni pensionin dinjitoz që ju takon. Do jeni po prapë ju që pas disa vitesh do vini dhe do kërkoni llogari nga Ministria e Financave apo administrata tatimore për faktin që kjo administratë nuk ka marrë masat e nevojshme për të detyruar subjekte të caktuara të paguajnë sigurimet.”
Nga këndvështrimi i gazetarëve, kjo ndërhyrje e zhvendosi fokusin nga shqetësimet e ngritura përdorimi i pushtetit administrativ dhe llogaridhënia drejt kushteve individuale të punës. Ndërkohë që çështja e sigurimeve të papaguara është reale dhe e kahershme në sektorin mediatik, formulimi në këtë mënyrë rrezikon të sugjerojë se barra e shqetësimit bie mbi vetë gazetarët, të cilët shpesh kanë kontroll të kufizuar mbi marrëdhëniet e tyre të punës.
Nga një këndvështrim parimor, përgjegjësia për deklarimin e pagave dhe pagesën e kontributeve i takon punëdhënësve dhe institucioneve shtetërore që mbikëqyrin zbatimin e ligjit. Gazetarët nuk mund të mbajnë këtë përgjegjësi individualisht. Për ta, kushtet e punës nuk lidhen vetëm me pensionin e së ardhmes, por me sigurinë profesionale dhe pavarësinë në të tashmen.
Gazetarët midis ekspozimit dhe pasigurisë
Ky shkëmbim pasqyron një realitet strukturor: gazetarët në Shqipëri operojnë në ndërthurjen e ekspozimit institucional dhe pasigurisë ekonomike.
Nga njëra anë, gazetarët që trajtojnë çështje me interes publik përballen me pasoja administrative apo ligjore që janë të vështira për t’u sfiduar në kohë reale. Nga ana tjetër, shumë prej tyre punojnë në kushte ku mbrojtja e të drejtave të punës është e dobët, duke i bërë më të cenueshëm dhe më pak të aftë për të përballuar presionin e jashtëm.
Këto dy dimensione janë të ndërlidhura. Një gazetar me kushte të pasigurta pune dhe pa mbrojtje sociale është në mënyrë të pashmangshme më i ekspozuar. Në këtë kuptim, të drejtat e punës nuk janë çështje dytësore ato janë thelbësore për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.
Përpara: nevoja për qartësi dhe përgjegjësi
Ky rast tregon nevojën për të kaluar përtej deklarimeve formale dhe për të siguruar që mekanizmat e mbrojtjes, transparencës dhe llogaridhënies të jenë realisht funksionalë dhe të dukshëm në praktikë, veçanërisht kur pushteti administrativ ndërthuret me median.
Në të njëjtën kohë, përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve duhet të mbetet prioritet. Respektimi i të drejtave të punës, përfshirë kontratat dhe sigurimet, nuk është vetëm çështje mbrojtjeje sociale, por parakusht për pavarësi profesionale.
Për gazetarët, këto dy dimensione janë të pandashme. Trajtimi i njërës pa tjetrën rrezikon të lërë të pazgjidhura cenueshmëritë thelbësore.