Shqipëria: Përditësime mbi reformën e Kodit Penal dhe dispozitat për shpifjen

Shqipëria: Përditësime mbi reformën e Kodit Penal dhe dispozitat për shpifjen

Shqipëria po kalon aktualisht nëpër dy procese paralele ligjore që ndikojnë në lirinë e shprehjes: konsultimin publik në vijim për draftin e Kodit të ri Penal, të udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë, dhe një nismë të veçantë parlamentare që propozon ndryshime në Kodin Penal në fuqi. Së bashku, këto zhvillime kanë rihapur debatin kombëtar mbi shpifjen, fyerjen dhe masat mbrojtëse për gazetarët, duke krijuar njëkohësisht paqartësi lidhur me drejtimin, kohëzgjatjen dhe koherencën e reformës.

Drafti i Kodit të ri Penal: konsultimi vijon, ende jo në Kuvend

Ministria e Drejtësisë vijon procesin e konsultimit publik për draftin e Kodit të ri Penal, i cili përmban dispozita me ndikim në lirinë e shprehjes dhe shpifjen. Organizatat për lirinë e medias përfshirë partnerët e SafeJournalists, kanë reaguar tashmë në mënyrë të përbashkët ndaj draftit, duke ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm në shprehjen në interes publik. Drafti mbetet në shqyrtim dhe nuk është paraqitur ende për miratim parlamentar. Procesi duket se po ecën më ngadalë se sa ishte parashikuar fillimisht, pas reagimeve dhe kundërshtimeve të shumta nga aktorë të ndryshëm, jo vetëm nga komuniteti i medias.

Pas një alarmi të ngritur në Platformën e Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve, Ministria e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje zyrtare, duke ritheksuar se drafti i Kodit Penal ndodhet ende në fazën e konsultimit dhe se komentet nga media, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë do të shqyrtohen për të siguruar përputhjen me standardet evropiane.

Kodi Penal në fuqi: konsultim parlamentar për ndryshime që prekin lirinë e shprehjes

Në paralel, më 15 dhjetor 2025Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një debat dhe konsultim të hapur mbi ndryshimet e propozuara në Kodin Penal në fuqi, që lidhen me lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve. Draft-ndryshimet propozojnë:

  • Dënime penale më të ashpra për dhunën dhe kërcënimet serioze të kryera ndaj gazetarëve për shkak të veprimtarisë së tyre profesionale në interes publik;
  • Forcimin e masave mbrojtëse kundër ndërhyrjeve të paligjshme në lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë mediatike;
  • Shfuqizimin e dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen, duke i zhvendosur këto çështje në fushën e së drejtës civile.

Ky proces parlamentar ka rritur vëmendjen ndaj kuadrit ligjor që rregullon shpifjen dhe sigurinë e gazetarëve, duke theksuar njëkohësisht nevojën për të shmangur reforma të fragmentuara përmes instrumenteve të ndryshme ligjore.

Propozimi i Kryeministrit: dekriminalizimi i shpifjes vetëm për gazetarët

Më 16 dhjetor 2025, Kryeministri propozoi publikisht dekriminalizimin e shpifjes vetëm për gazetarët, duke e paraqitur këtë si një masë për mbrojtjen e lirisë së medias. Ndërsa hapat drejt dekriminalizimit vlerësohen përgjithësisht pozitivë në parim, një qasje e kufizuar vetëm për gazetarët ngre pikëpyetje mbi koherencën me proceset më të gjera reformuese dhe mbi mënyrën se si ky propozim do të përkthehet në ndryshime konkrete ligjore, përfshirë formulimin e saktë dhe masat mbrojtëse në përputhje me standardet evropiane.

Lexoni më shumë këtu.

SafeJournalists do të vijojë të ndjekë nga afër të dyja proceset dhe të kontribuojë me feedback të bazuar në prova, për të mbështetur reforma që forcojnë sigurinë e gazetarëve, mbrojnë lirinë e shprehjes dhe sigurojnë përputhje të plotë me standardet evropiane, në bashkëpunim me SCiDEV në Shqipëri dhe organizata të tjera për lirinë e medias në rajon dhe në BE.