Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) – Sfidat e Sotme dhe Vizioni për të Ardhmen

Rtsh1

Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) organizoi një tryezë të rrumbullakët në nivel të lartë për të diskutuar sfidat aktuale dhe për të përcaktuar një vizion transformues për të ardhmen. Në këtë event morën pjesë aktorë kyç nga sektori i medias, përfshirë transmetues veteranë, profesionistë të medias, organizata të shoqërisë civile, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Median, përfaqësues të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe institucione të tjera publike.

Drejtoresha e Përgjithshme, Eni Vasili, theksoi nevojën thelbësore për reformimin e RTSH-së në një transmetues publik bashkëkohor, efikas dhe të besueshëm. Ajo trajtoi hapur problemet e thella të institucionit, duke përmendur performancën e dobët, praktikat jotransparente të punësimit, infrastrukturën teknologjike të vjetëruar, fragmentimin e programimit në kanale të shumta dhe prezencën e pamjaftueshme online.

Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, paraqiti tre shtylla strategjike thelbësore për rinovimin institucional: financat, struktura organizative dhe drejtimi editorial. Duke u ndalur te sfidat financiare, Kryetari theksoi problemet e mëdha të likuiditetit dhe strukturat e kostove jo të qëndrueshme të RTSH-së, duke nënvizuar nevojën urgjente për një model ekonomik të rishikuar. Kjo strategji e re financiare do të bazohet në një auditim të jashtëm dhe të pavarur, i cili do të sigurojë një bazë për financim transparent dhe të bazuar në nevoja.

Në lidhje me reformat strukturore, u theksuan domosdoshmëra per rivlerësim të konfigurimit ekzistues të kanaleve, i cili është kompleks dhe i mbivendosur. Një rishikim gjithëpërfshirës funksional dhe thjeshtim administrativ do të krijojë një kornizë organizative efikase, duke qartësuar rolet dhe duke minimizuar përsëritjet.

Në aspektin editorial, Këshilli vendosi si prioritet zhvillimin e një identiteti editorial koherent në të gjitha platformat, i bazuar në kërkime të thelluara të audiencës dhe i përshtatur me detyrimet e RTSH-së si transmetues publik. Strategjia e ardhshme do të shfrytëzojë të dhënat nga auditimi i jashtëm dhe do të formësohet përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent konsultimi.

Në prespektivë, Drejtoresha e Përgjithshme përmendi disa objektiva kryesore:

  • Zbatimi i një modeli të ristrukturuar programimi, i bazuar në përmbajtje tematike të përshtatura me nevojat e audiencës.
  • Integrimi i platformave digjitale dhe modernizimi i rëndësishëm i infrastrukturës.
  • Përforcimi i mekanizmave të qeverisjes që prioritojnë transparencën, përfshirjen dhe përgjegjshmërinë.

Ajo e përmbylli nderhyrjen duke rikonfirmuar misionin themelor të RTSH-së si transmetues publik, duke theksuar rëndësinë kyçe të rindërtimit të besimit të publikut përmes besueshmërisë së vazhdueshme, cilësisë së përmbajtjes dhe inovacionit.

Iniciativa e kesaj reforme gëzon mbështetje dypartiake politike, me anëtarë të parlamentit nga Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) që përkrahin publikisht ndryshime thelbësore. Gjithashtu, Autoriteti i Mediave Audiovizive konfirmoi angazhimin për të ofruar mbështetje teknike dhe për të garantuar përputhshmërinë me standardet evropiane të transmetimeve. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e integrimit të transformimit strategjik të RTSH-së brenda një agjende më të gjerë kombëtare për reformën e medias, duke vënë në pah nderlidhjen e reformës sistemike të medias në Shqipëri.

Të drejtat mbi fotot: BalkanWeb