Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës të ndërmarrin hapa konkretë për të shpëtuar BHRT

Në fillim të kësaj jave, Rrjeti SafeJournalists i dërgoi një letër shqetësimi institucioneve kompetente të Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) lidhur me krizën financiare që prej kohësh po e godet transmetuesin publik kombëtar, Radio-Televizionin e Bosnjë dhe Hercegovinës (BHRT).

Pas miratimit nga Presidenca e BiH të buxhetit shtetëror për vitin 2025, i cili më pas u konfirmua nga të dyja dhomat e Asamblesë Parlamentare të BiH, BHRT mbeti pa 22 milionë marka konvertibile nga fondet buxhetore. Sipas BHRT-së, këto fonde ishin parashikuar për shlyerjen e borxhit ndaj Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), për pagesën e taksave dhe kontributeve shoqërore për pagat e punonjësve, si dhe për mbulimin e detyrimeve ndaj shërbimeve komunale të ndryshme. Për shkak të këtyre borxheve të papaguara, BHRT mund të mbetet së shpejti pa energji elektrike dhe gaz, ndërsa po shqyrtohet edhe bllokimi i llogarive bankare të transmetuesit për shkak të një borxhi të TVSH-së prej rreth 9.5 milionë KM.

Borxhi total i BHRT-së arrin në 54 milionë KM, ndërkohë që ky shërbim publik kombëtar ka për të marrë rreth 100 milionë KM nga RTRS, transmetuesi publik i Republikës Srpska, i cili që nga viti 2017 ka ndaluar transferimin e 50% të taksës së mbledhur RTV drejt transmetuesit kombëtar, në kundërshtim me vendimet përfundimtare gjyqësore dhe Ligjin për Sistemin e Transmetimit Publik të BiH.

Rrjeti SafeJournalists u bëri thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndërmarrin menjëherë hapa konkretë për të parandaluar kolapsin financiar të BHRT-së, përfshirë miratimin e masave urgjente financiare që do të parandalonin sekuestrimin e aseteve dhe ndërprerjen e shërbimeve. Organizatat anëtare të rrjetit kërkuan gjithashtu krijimin urgjent të një modeli transparent, afatgjatë dhe juridikisht të qëndrueshëm të financimit për transmetuesin publik kombëtar.

Një nga letrat mund të lexohet këtu.