Rrjeti SafeJournalists dënon dy incidente në të cilat fotoreporteri Gavrilo Andrić nga Serbia u sulmua brenda një periudhe të shkurtër kohore, ndërkohë që po raportonte për ngjarje me interes publik.
Incidenti i parë ka ndodhur më 8 qershor në Kosjerić, në ditën e zgjedhjeve lokale, kur një anëtar i Partisë Progresiste të Serbisë dhe drejtor i Organizatës Turistike të Kosjeriqit, Dragan Tripković, e ka sulmuar fizikisht Andrićin përpara stacionit të policisë. Sulmi ka ndodhur në prani të disa pjesëtarëve të policisë, të cilët nuk kanë ndërhyrë. Kur Andrić ka tentuar të denonconte sulmin tek ata, i është thënë se mund të dorëzonte ankesën më vonë. Pasi ka hyrë në stacionin e policisë, rasti është raportuar, por prokurori i rastit ka përfunduar se nuk kishte elemente të një vepre penale. Një polic e ka njoftuar Andrićin se do të lëshohej një paralajmërim dhe është rekomanduar që ai të ngrinte një padi private.
Incidenti i dytë ka ndodhur më 10 qershor në Beograd, përpara Sava Centar, ku po mbahej një takim për planifikimin e EXPO-s. Gjatë një proteste studentore, kur protestuesit tentuan të shfaqnin një pankartë me mbishkrimin “Të ekspozuar – Vjedhësit e njëjtë, skenë më të madhe”, policia ka ndërhyrë. Andrić ka tentuar të dokumentonte ngjarjen, por dy policë e kanë penguar atë. Njëri prej tyre ka goditur kamerën e tij dhe kur s’e ka arritur qëllimin, i ka kapur çantën dhe e ka tërhequr, duke kërkuar dokumentet e identifikimit. Edhe pse Andrić ka shfaqur kredencialet e tij të shtypit, polici ka insistuar që ai të largohej nga vendi.
Më parë, Andrić ishte ndaluar nga policia më 16 maj gjatë një proteste qytetare dhe bllokimi të gjykatës dhe prokurorisë në Novi Sad, për të verifikuar identitetin e tij, edhe pse ai kishte kartën e identitetit me vete. Pas dhënies së një deklarate për policinë, ai është liruar pa u hapur asnjë procedim.
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë thekson se këto sulme janë një vazhdim i shqetësueshëm i dhunës fizike dhe presionit institucional ndaj gazetarëve në Serbi, veçanërisht në kontekstin e raportimit të protestave, ngjarjeve politike dhe ngjarjeve me interes publik. Gazetarët që guxojnë të raportojnë objektivisht për zhvillimet që përfshijnë funksionarë të qeverisë, parti politike ose institucione shtetërore po bëhen gjithnjë e më shumë objekt i sulmeve verbale, dhunës fizike, intimidimeve dhe pengesave në punën e tyre.
Çështja është edhe më shqetësuese kur policia, në vend që të mbrojë gazetarët dhe të sigurojë një mjedis të sigurt për ta, po bëhet gjithnjë e më shpesh pjesë e dhunës ose bashkëpunëtorja e saj, duke mos reaguar kur sulmet ndodhin para syve të tyre. Ky qëndrim i policisë krijon një atmosferë të pandëshkueshmërisë dhe i dekurajon gazetarët që të raportojnë për çështje të rëndësishme për funksionimin e një shoqërie demokratike.
Rrjeti SafeJournalists thekson se këto sulme nuk janë vetëm shkelje të të drejtave themelore të njeriut, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për t’u informuar. Gazetarët duhet të kenë mundësinë të ushtrojnë profesionin e tyre në mënyrë të lirë dhe pa frikë nga dhuna apo intimidimi.
Rrjeti bën thirrje për institucionet kompetente, sidomos policinë dhe prokurorinë, që të reagojnë urgjentisht për të hetuar dhe ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj kolegut tonë Andrić. Po ashtu, kërkojmë që Ministria e Punëve të Brendshme të marrë masa për të nisur procedura ndaj oficerit të policisë që përdori forcë ndaj foto-gazetarit, duke shkelur detyrat dhe autoritetin e tij profesional.
Apelojmë gjithashtu për partitë politike dhe funksionarët e tyre që të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj gazetarëve dhe të dënojnë publikisht këtë sjellje. Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta mund të sigurojmë një mjedis të sigurt dhe të lirë për gazetarët, të cilët kontribuojnë çdo ditë në informimin e publikut dhe forcimin e shoqërisë demokratike.
Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese dhe do të nxisë ata që të monitorojnë situatën dhe të ushtrojnë presion shtesë mbi institucionet në Serbi, për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe respektimin e të drejtave të tyre.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 12 qershor 2025
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BH
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
Sindikatat e Medias së Malit të Zi