SafeJournalists: Jemi shumë të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të punës të gazetarëve dhe punonjësve të medias në Ora Sh.a. në Shqipëri

SafeJournalists: Jemi shumë të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të punës të gazetarëve dhe punonjësve të medias në Ora Sh.a. në Shqipëri
photo: canva

Rrjeti SafeJournalists (SJN) shpreh shqetësim të thellë lidhur me pretendimet për shkelje të rënda të të drejtave të punës ndaj ish-gazetarëve dhe punonjësve të medias së Ora Sh.a., një transmetues i administruar nga shteti në Shqipëri që prej shtatorit 2023.

Më 19 qershor 2025, dhjetë ish-punonjës të Ora Sh.a. dorëzuan një ankesë zyrtare pranë institucioneve shtetërore shqiptare, duke pretenduar shkelje sistematike të të drejtave të tyre të punës. Ata raportuan pushime kolektive të paligjshme nga puna, duke deklaruar se rreth 80 punonjës të medias u larguan në mënyrë të paligjshme gjatë periudhës 2024-2025, pa respektuar procedurat ligjore në fuqi, përfshirë dorëheqje të detyruara, largime të menjëhershme pa njoftim paraprak dhe fshirje të menjëhershme nga regjistrat zyrtarë të punësimit. Gjithashtu, ata pretendojnë se Ora Sh.a. ka dështuar në mënyrë sistematike të derdhë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga viti 2022 deri në vitin 2025, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet shqiptare nr. 7703/1993 dhe nr. 10383/2011. Ankuesit shprehin shqetësimin e tyre edhe lidhur me mosnjohjen si kreditorë prioritarë në procesin e vazhdueshëm të falimentimit të Ora Sh.a., duke rrezikuar mundësinë për të përfituar pagat e papaguara, dëmshpërblimet dhe kontributet e sigurimeve të munguara.

Ne shprehim shqetësimin tonë serioz për shkeljet e pretenduara të të drejtave të punës që kanë prekur ish-punonjësit e Ora Sh.a., duke theksuar se kushtet e punës të qëndrueshme dhe të drejta janë thelbësore për gazetarët që të shërbejnë në mënyrë të pavarur interesit publik. Në këto rrethana, integriteti profesional, siguria financiare dhe mirëqenia personale e gazetarëve janë seriozisht të cenuara. Për më tepër, ky rast nxjerr në pah një praktikë shqetësuese të kushteve të pasigurta të punës në sektorin mediatik shqiptar, ku disa media të tjera, gjatë periudhës 2024-2025, dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.

SafeJournalists Network shpreh solidaritet të plotë me gazetarët dhe punonjësit e prekur të medias, duke mbështetur plotësisht përpjekjet e tyre. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim urgjent dhe transparent të shkeljeve të raportuara të të drejtave të punës në Ora Sh.a. Institucionet shqiptare duhet t’i njohin zyrtarisht ish-punonjësit si kreditorë prioritarë në procedurat aktuale të falimentimit.

SafeJournalists Network do të informojë palët e interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare mbi këto zhvillime dhe do ta monitorojë situatën nga afër, duke ofruar përditësime të rregullta dhe duke advokuar për marrjen e masave të duhura.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

 

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 23 Qershor 2025

  • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
  • Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
  • Shoqata BH e Gazetarëve
  • Shoqata Kroate e Gazetarëve
  • Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë
  • Sindikata e Mediave e Malit të Zi