Rrjeti SafeJournalists kërkon që Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës (BeH), Elmedin Konaković, të ndalojë menjëherë shënjestrimin e gazetarëve dhe mediave përmes përmbajtjes video të publikuar në profilin e tij në Facebook dhe në platforma të tjera të rrjeteve sociale.
Të shtunën, më 4 tetor, ministri Konaković publikoi një video ku zhvillon një bisedë të papërshtatshme dhe manipuluese me Evelin Trako, kryeredaktorin e gazetës Dnevni Avaz. Me një stil që i ngjan atij të një influencuesi në rrjetet sociale, Konaković përpiqet të diskreditojë kryeredaktorin dhe median si pjesë e një konflikti të tij personal dhe politik me pronarin e Dnevni Avaz, Fahrudin Radončić. Në të njëjtën mënyrë dhe të papërshtatshme për një ministër shteti, Konaković ka publikuar muajt e fundit deklarata dhe komente fyese në rrjetet sociale, të drejtuara ndaj gazetarëve dhe redaktorëve të portaleve Istraga, Slobodna Bosna, Politički.ba, si dhe ndaj televizionit Hayat, duke keqpërdorur pozitën e tij publike për të ushtruar presion politik dhe për të përfshirë gazetarët në fushata ngacmimi në internet.
Rrjeti SafeJournalists dënon fuqishëm presionin politik të qëllimshëm ndaj mediave dhe gazetarëve përmes rrjeteve sociale dhe i bën thirrje ministrit Konaković që të zhvillojë komunikimin publik me mediat brenda kufijve të një dialogu të respektueshëm dhe profesional. Reagimet ndaj përmbajtjeve mediatike duhet të bëhen në përputhje me kodin etik të gazetarisë dhe kuadrin ligjor që rregullon veprimtarinë e mediave dhe gazetarëve.
Njëkohësisht, Rrjeti SafeJournalists i kujton Elmedin Konakovićit se roli i tij si lider i partisë Narod i pravda (Populli dhe Drejtësia), si dhe si Ministër i Punëve të Jashtme të BeH-së, përfshin përgjegjësi publike për deklaratat e tij — e cila nuk përfundon sapo ai largohet nga zyra. Në këtë kontekst, shënjestrimi i Dnevni Avaz-it dhe mediave të tjera që nuk pajtohen me pikëpamjet e tij është krejtësisht i papranueshëm sidomos përdorimi i mbështetësve të tij politikë për të udhëhequr fushata të organizuara denigruese dhe përhapje armiqësie ndaj mediave të caktuara dhe gazetarëve. Është domethënëse që një sjellje e tillë ka vazhduar prej vitesh pa pasoja ligjore apo dënim publik.
Edhe një herë, rrjeti SafeJournalists bashkohet me Shoqatën e Gazetarëve të BeH-së në kërkesën që Elmedin Konaković të respektojë lirinë e medias dhe integritetin e gazetarëve dhe redaktorëve, duke theksuar se veprimet politike dhe publike të Konakovićit shpesh të drejtuara kundër lirisë së shtypit duhet të harmonizohen me vlerat demokratike dhe standardet evropiane të lirisë së shprehjes.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 6 tetor 2025
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të BeH
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë