SafeJournalists shpreh shqetësimin lidhur me Projektligjin e ri për Qasjen në Informata në Distriktin Brčko të Bosnjë dhe Hercegovinës

Rrjeti SafeJournalists mbështet Shoqatën e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës (BHJA) në kërkesën e saj drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë së Distriktit Brčko të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Komisionit kompetent Legjislativ dhe Juridik, për të nisur urgjentisht një debat publik mbi Projektligjin për Qasjen në Informata në Distriktin Brčko. Kjo është e domosdoshme për të mundësuar përfshirjen e qytetarëve, komunitetit profesional dhe atij mediatik, si dhe organizatave të shoqërisë civile, në mënyrë që përmes komenteve dhe amendamenteve të përmirësohen zgjidhjet ligjore ekzistuese në përputhje me standardet evropiane.

Rrjeti SafeJournalists konsideron se afati 15-ditor për dorëzimin e propozimeve për ndryshimin e Projektligjit është i pamjaftueshëm për të hartuar një zgjidhje ligjore që do t’u mundësonte mediave dhe gazetarëve ushtrimin e lirë të së drejtës për qasje të lirë, të thjeshtë dhe të shpejtë në informata publike, me procedura të qarta dhe të aksesueshme për ankesë në rast të mohimit të informacionit. Mungesa e debatit publik, si një mekanizëm gjithëpërfshirës për mbledhjen e mendimeve të profesionistëve dhe përfituesve të së drejtës për qasje në informata publike, është në kundërshtim me standardet demokratike të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në procesin e hartimit të akteve ligjore.

SafeJournalists përshëndet qëllimet e nismëtarëve të ligjit për të rregulluar këtë fushë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, të cilat përfshijnë publikimin proaktiv të informacioneve, shpërndarjen falas të tyre dhe detyrimin për të kryer një test proporcionaliteti dhe interesi publik. Prioritizimi normativ i interesit publik ndaj dëmit të mundshëm që mund të shkaktohet nga publikimi i informacionit është me rëndësi të jashtëzakonshme për punën e mediave dhe të gazetarëve hulumtues, të cilëve shpeshherë u është mohuar qasja në informata për zyrtarët publikë dhe mënyrën se si ata i ushtrojnë funksionet e tyre, me referenca të paqarta në mbrojtjen e privatësisë dhe një listë të papranueshëm të gjerë të të ashtuquajturave të dhëna personale.

Njëkohësisht, Rrjeti SafeJournalists e konsideron tërësisht të papranueshme që ky ligj nuk parashikon mundësinë e paraqitjes së një ankese ndaj autoritetit që ka refuzuar dhënien e informacionit me rëndësi publike. Pamundësia për të ndjekur një procedurë të ankimimit në shkallë të dytë brenda institucioneve të Distriktit Brčko, përveçse është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, do t’i detyrojë gazetarët dhe qytetarët të nisin procese gjyqësore të kushtueshme për të siguruar informatat e nevojshme. Dispozitat e mësipërme mund të krijojnë gjithashtu hapësirë për zyrtarët dhe politikanët e Brčkós që të fshehin informacione mbi punën e tyre, vendimet që marrin dhe mënyrën si i shpenzojnë fondet publike, si dhe çdo informacion tjetër me interes publik.

Për të gjitha arsyet e mësipërme, Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje autoriteteve të Distriktit Brčko që të nisin menjëherë një debat publik për Projektligjin për Qasjen në Informata Publike dhe të zhvillojnë një dialog me të gjithë palët e interesuara në fushën e lirisë së informimit dhe të drejtës për qasje në informata publike. Gjithashtu, Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë që të parandalojë miratimin e këtij ligji, i cili është në kundërshtim me standardet e BE-së dhe do të përbëjë një pengesë për procesin e integrimit të Bosnjë dhe Hercegovinës në Bashkimin Evropian.

Rrjeti SafeJournalists do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këto zhvillime shqetësuese dhe do të vazhdojë të ndjekë nga afër situatën.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 26 maj 2025

Asociacioni I Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Mediave të Malit të Zi