Në vitin 2025, liria e medias dhe siguria e gazetarëve në Ballkanin Perëndimor mbetën nën presion të madh dhe të vazhdueshëm. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Rrjeti SafeJournalists rikujton se liria e shprehjes dhe e drejta e publikut për t’u informuar janë të drejta themelore të njeriut, pa të cilat nuk mund të ketë shoqëri demokratike. Edhe pse tregjet mediatike në shumicën e vendeve duken formalisht plurale, hapësira reale për gazetari të pavarur po tkurret për shkak të lidhjeve të ngushta mes politikës, biznesit dhe medias, pasigurisë ekonomike të redaksive dhe përpjekjeve gjithnjë e më të dukshme për të ndikuar në autonominë editoriale. Një mjedis i tillë e dobëson rolin e medias si rojtar demokratik dhe rrit rrezikun e autocensurës.
Në të njëjtën kohë, në të gjithë rajonin vazhdon një trend shqetësues i sulmeve, kërcënimeve dhe presioneve ndaj gazetarëve – nga incidentet fizike në terren, deri te ngacmimet serioze online, sidomos ndaj gazetareve gra – ndërsa reagimet institucionale shpesh mbeten të ngadalta, të pamjaftueshme ose pa rezultate gjyqësore. Pasiguria juridike, mungesa e mbrojtjes së mjaftueshme nga paditë SLAPP, si dhe kuadrot rregullatore të vjetruara apo problematike, shtojnë shqetësimet më tej. Krizat e qeverisjes dhe financimit të transmetuesve publikë në disa vende thellojnë edhe më shumë rrezikun. Rrjeti SafeJournalists paralajmëron se, pa vullnet të qëndrueshëm politik, mbrojtje institucionale efektive dhe mbështetje strukturore për media të pavarura dhe të qëndrueshme, këto prirje do të vazhdojnë të minojnë themelin e lirisë së shprehjes dhe standardeve demokratike në rajon.
SERBIA
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë regjistroi 275 raste në 2025, përfshirë 109 sulme fizike dhe 100 kërcënime për vrasje. Platforma ndërkombëtare Mapping Media Freedom regjistroi 167 raste, duke e renditur Serbinë të parën në Evropë për rrezik ndaj gazetarëve, madje para Ukrainës. Sulmet verbale nga zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të shumicës në pushtet janë bërë sistematike, duke krijuar një atmosferë linçimi ku mediat e pavarura dhe gazetarët kritikë etiketohen si “tradhtarë”, “mercenarë të huaj” apo edhe “terroristë”.
Fondacioni “Slavko Ćuruvija” regjistroi të paktën 154 raste sulmesh verbale në nëntor 2025 dhe 163 në tetor, të kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në mënyrë veçanërisht shqetësuese, policia është bërë gjithnjë e më shpesh burim rreziku: në 2024 u evidentuan 64 raste të rrezikimit të sigurisë së gazetarëve dhe në 34 prej tyre policia nuk veproi sipas urdhrit të prokurorisë. Nga marsi në dhjetor 2025 u regjistruan 75 incidente ku policët ushtruan dhunë ndaj gazetarëve të identifikuar, qëndruan pasivë ndaj sulmeve të të tjerëve, ose refuzuan të ofronin mbrojtje. Policia vazhdon të shmangë përgjegjësinë, duke e bërë ndjekjen penale pothuajse të pamundur.
Deri në fund të tetorit 2025, 98 raste ishin regjistruar në prokurori, por vetëm një përfundoi me dënim, çka eliminon efektin parandalues. Vërehen probleme serioze në bashkëpunimin midis prokurorisë dhe policisë, ndërsa mbledhja e provave – veçanërisht kur policët janë autorë të sulmeve – është jashtëzakonisht e ngadaltë.
Punësimi gazetaresk po ashtu është i pasigurt: të paktën 20 pushime apo masa disiplinore u ndërmorën ndaj gazetarëve që refuzuan ndërhyrjet politike, sidomos në media në pronësi të Telekom Serbia dhe në transmetuesit publikë. Paditë SLAPP dhe përdorimi i spyware në telefonat e gazetarëve, i instaluar nga autoritetet shtetërore, shtojnë presionin. Raporti i Komisionit Europian nënvizon regres të mëtejshëm të Serbisë në lirinë e medias, presion politik dhe ekonomik ndaj mediave të pavarura dhe mungesë të progresit në mbrojtjen e gazetarëve.
SHQIPËRIA
Në 2025, mjedisi mediatik në Shqipëri mbeti plural vetëm në dukje, por i kufizuar nga lidhjet e ngushta midis medias, politikës dhe biznesit. Roli i medias si mekanizëm mbikëqyrës demokratik është dobësuar ndjeshëm. Ndër zhvillimet më shqetësuese ishte bllokada arbitrare dhe jo-transparente e Focus Media Group/News24 nga strukturat shtetërore, pa procedura të qarta ligjore, duke penguar seriozisht punën gazetareske.
Një moment pozitiv ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese në çështjen e Elton Qynos, i cili konfirmoi paprekshmërinë e burimeve gazetareske. Platforma e Dialogut të Strukturuar BE–Këshilli i Evropës shërbeu si hapësirë për diskutim reformash, por efektet konkrete ende nuk ndihet në terren.
Projekt-Kodi Penal, që ruan shpifjen si vepër penale dhe fut dispozita të paqarta për fjalën, ka ngritur shqetësim serioz për përputhshmërinë me nenin 10 të KEDNJ-së dhe detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit. Rrjeti SafeJournalists dokumentoi 40 incidente në 2025, përfshirë sulme fizike, kërcënime serioze dhe ngacmime të gjera online. RTSH u përball me krizë qeverisjeje dhe financimi, duke e dobësuar më tej funksionin e tij publik.
Hapësira e informacionit vazhdoi të shfaqë probleme të integritetit mediatik, ndikim nga aktorë të pakontrolluar, fushata shpifëse dhe një vit të tërë bllokim të TikTok-ut në shkallë kombëtare, duke ngritur pyetje për proporcionalitetin dhe të drejtat dixhitale.
KOSOVA
Liria e medias në Kosovë u përkeqësua ndjeshëm në vitin 2025, një vit zgjedhor që intensifikoi presionin politik. Kosova ra në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit – pozicioni i saj më i ulët ndonjëherë.
Gjatë vitit u regjistruan 65 raste sulmesh dhe presionesh ndaj gazetarëve. Shumë prej tyre nuk u raportuan fare në institucione; vetëm dy përfunduan me dënime. Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve vuri në dukje presion të sistemuar politik ndaj mediave gjatë zgjedhjeve parlamentare, retorikë agresive dhe hapësirë gjithnjë e më të kufizuar për debat plural.
Ligji i vitit 2024 për Komisionin e Mediave u kritikua gjerësisht si kërcënim për pavarësinë e medias, para se të shfuqizohej nga Gjykata Kushtetuese në 2025 – një shembull i tentativave institucionale për të zgjeruar kontrollin politik. Presionet politike dhe ekonomike, sidomos mbi mediat që varen nga financimet e lidhura me shtetin, vazhdojnë të dobësojnë autonominë editoriale.
Komisioni Evropian vlerëson regres të vazhdueshëm në lirinë e shprehjes, presion politik dhe ekonomik ndaj mediave të pavarura dhe efektivitet të kufizuar të institucioneve rregullatore.
KROACIA
Në 2025, Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë regjistroi 27 raste sulmesh, kërcënimesh dhe presionesh, duke konfirmuar përkeqësimin e kushteve të sigurisë. Kroacia ra për herë të parë në kategorinë e “situatës së vështirë” sipas RSF, duke zbritur 12 vende, në pozicionin e 60-të. Përveç sulmeve fizike, dobësia e theksuar ekonomike e medias shihet si shqetësim kryesor.
Misioni i Media Freedom Rapid Response në qershor 2025 theksoi dobësi strukturore: presion politik, legjislacion të vjetëruar, cenueshmëri ndaj SLAPP, mbrojtje institucionale të pamjaftueshme dhe financim të paqëndrueshëm. Kombinuar me rënien e të ardhurave nga reklamat, pronësinë jo-transparente dhe presionet politike, këto faktorë po tkurrin hapësirën për gazetari të lirë dhe të pavarur.
MAL I ZI
Deri më 10 dhjetor 2025, Sindikata e Mediave të Malit të Zi (TUMM) regjistroi 28 raste – numri më i lartë vjetor që nga viti 2021. Në 16 rastet viktima ishin gazetare gra, në 5 gazetarë burra, dhe 7 raste përfshinin ekipe gazetare ose redaksi të tëra.
Gjatë vitit, nëntë incidente përfshinin kërcënime për jetën dhe sigurinë fizike. Gazetarët u bënë objektiv i sulmeve verbale nga zyrtarë të nivelit të lartë. Një rast i rëndë ndodhi në gusht, kur dhjetëra persona sulmuan fotoreporterët Boris Pejović dhe Stevo Vasiljević gjatë heqjes së një monumenti në Beranë.
Gazetaret gra përballen çdo ditë me kërcënime online. Një dënim me 9 muaj burg u dha për kërcënimin ndaj gazetares Itana Kaluđerović – një nga rastet e para të zbatimit të formës së rënduar të veprës penale “Rrezikim i Sigurisë” për gazetarë.
MAQEDONIA E VERIUT
Viti 2025 paraqet një tablo të përzier: progres formal në legjislacion, por sfida strukturore të mëdha në praktikë. Vendi ra në vendin e 42-të në Indeksin e RSF, gjashtë vende më poshtë se 2024.
Ligji për përgjegjësinë civile dhe ndryshimet në Kodin Penal forcuan mbrojtjen e gazetarëve, por mangësitë sistemike vazhdojnë: praktika gjyqësore e paqëndrueshme, rikthimi i fushatave shtetërore në mediat private, mungesë mekanizmash për pluralizëm dhe mbrojtje të pamjaftueshme kundër SLAPP.
Kushtet socio-ekonomike mbeten të dobëta: shumica e gazetarëve marrin paga nën mesataren kombëtare dhe mungesa e stafit profesional rrezikon cilësinë e gazetarisë. Sulmet fizike ranë, por kërcënimet online, gjuha e urrejtjes dhe etiketimet politike janë ende të përhapura, ndërsa shumë çështje penale mbeten të pazgjidhura.
BOSNJA DHE HERCEGOVINA
Gazetarët në BiH përballen me një numër në rritje kërcënimesh, ngacmimesh, padish SLAPP dhe sulmesh fizike. Edhe pse mjedisi duket formalistisht plural, kjo nuk përkthehet në pluralizëm real, pasi shumë media janë ekonomikisht të dobëta dhe të ndikuara nga politika dhe biznesi.
Në vitin 2025, pezullimi i fondeve të USAID la dhjetëra gazetarë pa punë dhe media të tëra në reduktime drastike. Mbyllja e Al Jazeera Balkans në korrik preku mbi 200 punonjës dhe goditi rëndë tregun mediatik. BiH ra në vendin e 86-të të RSF, pesë vende më poshtë se një vit më parë.
Një nga zhvillimet më alarmante është kolapsi pothuajse total i transmetuesit publik BHRT. Komisioni Evropian vuri në dukje mungesë progresi në lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve, ndërsa zyrtarët e BE paralajmëruan se një vend kandidat nuk mund të lejojë të humbasë transmetuesin e vet publik.
SafeJournalists regjistroi 34 raste në 2025: kërcënime verbale, presion politik, ngacmime online dhe disa sulme fizike, njëra prej të cilave çoi në dënim penal. Shumica e rasteve mbeten të pahetuara ose me hetime të pjesshme.